Presidenti Trump dhe Kosova (I) - Gazeta Express
string(29) "presidenti-trump-dhe-kosova-i"

Presidenti Trump dhe Kosova (I)

Gazeta Express

22/11/2020 14:36

Kosova do të jetë e vetmja temë e kontinuitetit në politikën e jashtme të Presidentit Trump me trashëgiminë e Presidentëve Bill Clinton dhe George W. Bush.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Kur Donald Trump, në nëntorin e vitit 2016-të u zgjodh Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të thuash askush këndejpari, (në Kosovë, në rajon, por edhe në Evropë, në BE), nuk dinte gjë për synimet e tij në politikën e jashtme, karshi Kosovës, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës.

Fillimi dhe fundi i fushatës së tij zgjedhore ishin slloganet ’America First’  (’Së pari Amerika’), dhe ’Make America Great Again’  (’Ta bëjmë sërish Amerikën të madhe’).

Çfarë supozohej ishte që Trump do ta përqafojë qasjen klasike izolacioniste në politikën e Amerikës ndaj Botës.

Teksa tek ne, urimet publike zyrtare të gjithë liderëve institucional dhe partiak për Presidentin e ri të Amerikës, u përcollën me të panjohurat dhe shqetësimet private se çka mund të bëjë Administrata e re e Washingtonit për Kosovën dhe për dialogun e Prishtinës dhe Beogradit, në Beograd fitorja e Trumpit në garën zgjedhore presidenciale me ish-Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, (Clintonët ishin reminishencë e fushatës ajrore të Aleancës Veri-Atlantike mbi Serbinë, në radhë të parë), u bë shkas për një ekzaltim masiv, që madje kalonte edhe në një histeri kolektive.

As më pak dhe as më shumë, Beogradi zyrtar por edhe i gjithë opinioni publik i Serbisë, priste, në versionin fare optimist, që Trump do ’t’ia kthejë Kosovën Serbisë’, ndërsa në këto variantat e tjera, llogarite që Washingtoni, tash e tutje, do ta përkrah Beogradin në dëm të Prishtinës, jo vetëm në dialogun në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe në fuqizimin e një roli të pretenduar prijës të Serbisë në rajon.

Periudha e tranzicionit në mes të dy Administratave në Amerikë  (asaj të Obamës dhe kësaj të Trumpit), nuk u përcoll me ndonjë qartësim të pozicionit të Administratës së Presidentit të zgjedhur Trump karshi Kosovës dhe rajonit, me përjashtim të seancës dëgjimore të konfirmimit të Gjeneralit të pensionuar James Mattis, në postin e Sekretarit të Mbrojtjes, me 12 janar të vitit 2017.

’Mad Dog’ (’Qeni i tërbuar’) Mattis  (nofka e Trumpit për te, e në fakt, Mattis vet do të thoshte që ’kodi’ i tij në Armatën amerikane ka qenë ’Chaos’), do të jetë tepër i qartë në fjalën e tij karshi zotimeve të SHBA-së për Kosovën dhe rajonin.

Mattis pra konfirmoi që nuk do të ketë kurfarë ndryshimi në politikën e SHBA-së ndaj Kosovës.

Kalimthi këtu mund të thuhet që Mattis, në Administratën e Presidentit Trump, është më i merituari që Washingtoni zyrtar pati dhënë pëlqimin, në muajin dhjetor të vitit 2018-të, që FSK të transformohet në Format e Armatosura të Kosovës.

Sidoqoftë, Serbia e Aleksandar Vučićit, gjashtë ditë para se Presidenti Trump të betohej si President  (me 20 janar të vitit 2017-të), apo, të shtunën, me 15 janar, do ta bënte testin kyç se çfarë mund të jetë politika e Administratës së SHBA-së, tash e tutje karshi Kosovës dhe Serbisë.

Ky veprim i Beogradit do të kryhej qëllimisht ende pa e marrë edhe formalisht pushtetin Trump dhe Administrata e tij.

Atë ditë nga Beogradi për në Mitrovicën e Veriut do të nisej treni lara lara i Marko Đurićit, Shefit të ‘Zyres për Kosovë dhe Metohi’ në Qeverinë e Serbisë, me mbishkrimet në shumë gjuhë që ‘Kosova është Serbi’, (ndryshe, dekorimi i tij është financuar nga komunat me shumicë serbe në Veriun e Kosovës), me qëllim të qartë të provokimit të skajshëm të autoriteteve të Kosovës, dhe të testimit të reagimeve të Washingtonit dhe të Brukselit  (Aleancës Veri-Atlantike).

Kjo ditë dhe të tjerat që pasuan më pas në atë janar, shfaqën një herë synimin e Beogradit për ta ndryshuar Status Quo-në në Veriun e Kosovës  (apo, për ta avansuar, madje, edhe për ta kryer dhe formalizuar aneksimin e kësaj pjese të Kosovës), e më pas, sipërfaqësuan edhe kundëpërgjigjen e Prishtinës  (e cila kishte justifikimin e plotë politik dhe të sigurisë në vijim të kësaj sprove të rrezikshme të Serbisë), për ta afruar më shumë Veriun kah pushteti i Prishtinës.

Treni nuk mbërriti kurrë në Mitrovicën e Veriut, për shkak të reagimeve të prera ndërkombëtare, por edhe të instancave më të larta të Kosovës, por as autoritetet e Kosovës nuk u lejuan  (nga faktori ndërkombëtar) që ta bëjnë hapin vendimtar në integrimin e kësaj pjese të Kosovës.

Beogradi mori vesh pra qysh ato ditë që nuk është rendi i ndryshimit të pozicionit të Administratës Amerikane ndaj Kosovës.

Prishtina, në anën tjetër, kuptoi që nuk do të mund të përfitojë asgjë nga ky provokim i rëndë politik dhe i sigurisë që u bë nga autoritetet më të larta të Serbisë.

Megjithatë, pakkush këtupari e ka ditur ato ditë të janarit që fare lehtë ka mundur të ndodhë një konflikt i armatosur në Veri të Mitrovicës dhe të Kosovës si pasojë e trenit lara lara të Marko Đurićit. Ky konflikt, kësaj here do t’i gjente autoritetet e Kosovës shumë më të përgatitura se sa që ishte situata me zhvillimet në fund të korrikut të vitit 2011 që rezultuan me vrasjen e Enver Zymberit gjatë intervenimit në Veri.

Sidoqoftë, doli që treni i 15 janarit (2017-të) vetëm sa fuqizoi një Status Quo në Veri, që është në pushtet sot e kësaj dite.

Por porosia apo mësimi kryesor i kësaj ngjarjeje për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Qeverinë e Kosovës të Isa Mustafës, ishte që FSK duhet sa më parë të bëhej Armatë e mirëfilltë e Kosovës  (mundësisht, me thuaja të gjitha kapacitetet e mundshme), dhe që Policia e Kosovës do të duhej të forcohej sa më shumë që është e mundur në aspektin operacional dhe të armatimit.

Sidoqoftë, kjo ngjarja e 15 janarit ia bëri fare të qartë Beogradit zyrtar që nuk mund të llogarisë në ndonjë ndryshim dramatik në politikën e Washingtonit karshi Kosovës.

Siç do të mirret vesh në vitet në vijim, çështja apo tema e Kosovës, do të jetë, me gjasë, e vetmja temë e kontinuitetit në politikën e jashtme të Administratës së Trumpit me trashëgiminë e Presidentëve Bill Clinton dhe George W. Bush, të mandatin e të cilëve ndodhi një herë çlirimi i Kosovës e pastaj edhe pavarësimi i saj.

Edhe këtu del  (nga prizmi i politikës së Presidentit Trump), që Kosova është një rast ’Sui Generis’.

Për më shumë, Administrata e Presidentit Trump, në harkun kohor 2017-2019, kur flitet për dialogun e Kosovës dhe Serbisë, nuk do ta ndryshojë qasjen sipas të cilës, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së  (në këtë rast Federica Mogherini), apo Brukseli zyrtar, janë autoriteti suprem lehtësues në këto bisedime, ndërsa State Department, do të ishte në një koordinim të vazhdueshëm me Kryediplomaten evropiane, për ta mbështetur synimin që gjatë mandatit të saj  (pra, jo më larg se në vitit 2019-të), të arrihet Marrëveshja Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndieshmëria për Kosovën dhe për këto anë të Ballkanit Perëndimor do të ishte goxha e lartë në State Department, për shkak të interferimit evident të Rusisë në Serbi  (me vullnetin e vet Aleksandar Vučićit), në Mal të Zi  (tentim grusht shteti, i cili kishte ndodhë para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, por i cili konfirmonte se deri ku mund të shkohet në përpjekjen për ta rrëzuar një pushtet pro-perëndimor dhe pro-amerikan), në Maqedoni  (ngjarjet dramatike në Kuvendin e Maqedonisë, në muajin prill të vitit 2017), teksa dihej që Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, tash e sa kohë ishte në ‘orbitën’ e Vladimir Putinit dhe të Federatës së Rusisë.

Agjenda amerikane e shmangies së rrezikut nga destabilizimi i rajonit me autorësi të qartë të Rusisë, do ta ketë rolin vendimtar në anëtarësimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veri-Atlantike, në vazhdimësinë e politikës së Washingtonit ndaj Kosovës dhe dialogut të Prishtinës dhe Beogradit, dhe në përpjekjen për ta rritur influencën e vet tek Aleksandar Vučić dhe Serbia.

Kjo Agjendë në këtë periudhë, zaten, do të jetë shtytësi dhe frymëzuesi kryesor i State Departmentit që t’i krijohet hapësira negociatore Federica Mogherinit dhe Zyres së saj, për ta mbyllur një herë e përgjithmonë çështjen e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Vlerësimi i saktë dhe i qëndrueshëm i State Departmentit, në këtë kohë, ka qenë që shuarja e vatrave të krizave në këto anë të Evropës, qoftë me anëtarësimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut në Paktin NATO  (pas Marrëveshjes së Shkupit me Athinën për emrin e Maqedonisë), dhe me Marrëveshjen Ligjësisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të krijojë rrethana politike dhe të sigurisë për largimin e Rusisë nga Ballkani Perëndimor.

Në këtë periudhë pra, megjithë raportet tashmë të tensionuara Trans-Atlantike në mes të Administratës së Presidentit Trump, BE-së dhe shteteve kryesore të Evropës, në Washington tutje mbizotëronte bindja që Brukseli duhet t’i prijë dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, dhe që ky dialog duhet të merr epilogun e një Marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, për shkaqe pak a shumë të njohura për të gjithë, (kjo histori dihet mirë dhe njeh sebepet e ndryshme, edhe ato vendore, tek ne, për ngecjen evidente të dialogut), Përfaqësuasja e Lartë e BE-së, Feredica Mogherini, nuk arriti ta avansojë dialogun deri në shkallën e afrimit kah Marrëveshja. Përkundrazi.

Roli i saj pësoi një ’ngrirje’ të plotë në vitin e saj të fundit si Përfaqësuese e Lartë, në periudhën nëntor 2018, nëntor 2019.

Nesër: Marrëveshja e 4 shtatorit në Washington, duhej t’i shërbente ‘përgatitjes së terrenit’, për Marrëveshjen historike për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e cila duhej të ndodhte gjatë vitit 2021 me ndërmjetësimin amerikan.