Presidenti Krasniqi zhvilloi takim online me presidentin e KON-it, Thomas Bach - Gazeta Express

Presidenti Krasniqi zhvilloi takim online me presidentin e KON-it, Thomas Bach

Sporte tjera

Gazeta Express

04/06/2021 15:47

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, e ka zhvilluar sot një takim online me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), Thomas Bach. I pari i Lëvizjes Olimpike në botë e ka përgëzuar presidentin Krasniqi për zgjedhjen e tij në krye të KOK-ut, derisa urime të njëjta i ka përcjell edhe i pari KOK-ut në adresë të Bachut, për rizgjedhjen e tij edhe për një mandat në krye të KON-it.

Presidenti Bach ka shprehur vullnetin e madh dhe gatishmërinë që të bashkëpunojë me presidentin Krasniqi në ciklin e ardhshëm olimpik, derisa ka konfirmuar mbështetjen për KOK-un në programe të ndryshme për të promovuar vlerat olimpike në vendin tonë. Presidenti Krasniqi, që shoqërohej nga këshilltari i tij, Besim Aliti, i kanë prezantuar programin e KOK-ut për ciklin olimpik 2021 – 2024, për të cilin u përgëzuan nga presidenti Bach.

Duke i uruar suksese ekipit olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike Tokio 2020, presidenti Bach  propozoi që takimin e radhës me presidentin Krasniqi ta mbajë edhe fizikisht në Tokio gjatë Lojërave Olimpike. Paraprakisht drejtuesit e KOK-ut do të takohen edhe me drejtorin e Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, James Macloud, takim që do të mbahet javën e ardhshme në Athinë, gjatë Asamblesë Zgjedhore të Komitetit Olimpik të Evropës. /Gazeta Express/