Presidenti i UFC-së befason tifozët me pretendimin për meçin Wilder – Fury - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

03/03/2020 9:55

Presidenti i UFC-së befason tifozët me pretendimin për meçin Wilder – Fury

Sport

Gazeta Express

03/03/2020 9:55

Presidenti i UFC-së, Dana White, ka bërë të ditur se ai i beson Deontay Wilderit, i cili tha se e humbi meçin kundër Tyson Furyt shkaku se kostumi i tij i rëndë drejt rrugës për në ring ia dobësoi këmbët.

Deontay Wilder, 34-vjeçar, e pësoi disfatën e parë në karrierë të shtunën e kaluar, kur u mposht nga britaniku Tyson Fury dhe e humbi titullin e WBC-së në kategorinë e peshave të rënda në boks, transmeton Gazeta Express.

Fury e rrëzoi Wilderin në dysheme dy herë në rundet tre dhe pesë, para se ekipi i amerikanit ta hidhte peshqirin në ring në rundin e shtatë, duke e dorëzuar meçin.

Wilderi e pësoi një çarje në vesh pas një serie grushtesh nga Fury, gjë që çoi në dorëzimin e meçit, por ai këmbënguli se ishte mirë.

Por, këto dëmtime s’e ndalën Wilderin të pretendojë se ai humbi për shkak se kostumi, i cili peshonte më shumë se 20 kilogramë, ia dobësoi këmbët dhe ia shkaktoi humbjen.

Wilder u kritikua nga shumë njerëz për këtë pretendim të tij, megjithatë presidenti i UFC-së pajtohet me boksierin amerikan.

“Mendoj se ka shumë kuptim të ketë ndodhur. Fury dukej shkëlqyeshëm, Fury dukej mrekullueshëm, Fury luftoi për mrekulli, Fury e pati një meç të përsosur”, ka thënë White për TMZ Sports.

“Por, nëse e mendon mirë, luftëtarët para meçit relaksohen, disa flenë e pastaj i bëjnë pak nxehje dhe veshin diçka sa për t’u ngrohur. Nuk veshin aso kostume. Për këtë arsye unë s’lejoj gjëra të tilla në UFC. S’më pëlqen”. /Gazeta Express/