Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, bëri një shaka në lidhje me raportimet se Antonio Conte mund të largohet për te Juventusi: “Gjithçka që mund të bëjmë është të kujdesemi për ty.”
Trajneri fitoi Scudetton në sezonin e tij të parë në “Stadio Diego Armando Maradona”, duke ia marrë titullin Inter-it me vetëm një pikë më shumë në renditje. Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi, tensioni mes Contes dhe presidentit De Laurentiis ka qenë i dukshëm për muaj të tërë, dhe e ardhmja e tij në klub mbetet shumë e pasigurt.
Gjatë festimeve për titullin në Ischia mbrëmjen e kaluar, De Laurentiis iu referua zërave për një kalim të mundshëm te rivalët historikë.
“Je i madh, shef. S’po shkon te Juve, apo jo?”
Sipas gazetës Repubblica, Conte qeshi pas kësaj, por nuk dha asnjë përgjigje.
“Të shijojmë festën,” shtoi De Laurentiis. “Antonio, gjithçka që mund të bëjmë është të kujdesemi për ty, asgjë më shumë.”
Presidenti ka dhënë disa herë sinjale në intervistat pas Scudettos se vendimi i fundit i takon Contes, dhe se ai nuk është i gatshëm të luftojë shumë për ta bindur trajnerin të qëndrojë.
“Në një dasmë, askush nuk pyet nëse burri apo gruaja do të tradhtojë,” tha De Laurentiis për TG1.
“Thjesht shpresojnë që pala tjetër të jetë e respektueshme dhe të qëndrojë në marrëveshjen e bërë. Mendoj se dikush duhet të jetë i lumtur në ambientin e tij, dhe nëse nuk është dhe atmosfera ndikohet prej kësaj, atëherë duhet të ndryshojë vend. Kjo ndodhi me Luciano Spallettin. Me Conten kemi respekt të ndërsjellë, profesionalizëm të madh, dhe unë e falënderoj për këtë, sepse është ajo që na ka munguar për dy vite.”
Juventusi nuk është e vetmja alternativë për Conten. Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, e ka vendosur trajnerin italian në krye të listës së dëshirave për verën.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Napoli po përgatitet gjithashtu për një epokë pas-Conte, duke propozuar një kontratë dyvjeçare për Massimiliano Allegrin me një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon, plus bonuse të lidhura me performancën./GazetaExpress/