Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka deklaruar se dëshiron që ndalimi katërvjeçar i Rusisë nga garat ndërkombëtare të hiqet, pasi sipas tij ai “nuk ka arritur asgjë”.
Klubet ruse dhe përfaqësuesja kombëtare janë të pezulluara nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s që nga momenti kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022.
“Ky ndalim nuk ka arritur asgjë; vetëm ka krijuar më shumë frustrim dhe urrejtje,” tha Infantino për Sky Sports.
“Të kesh vajza dhe djem nga Rusia që të jenë në gjendje të luajnë ndeshje futbolli në pjesë të tjera të Evropës do të ndihmonte.”
Infantino u shpreh se FIFA “nuk duhet kurrë të ndalojë ndonjë shtet të luajë futboll për shkak të veprimeve të liderëve të tij politikë”.
“Dikush duhet t’i mbajë lidhjet të hapura,” shtoi 55-vjeçari.
Ministri i Sportit i Ukrainës, Matvii Bidnyi, i quajti komentet e Infantinos “të papërgjegjshme” dhe “infantile”.
“Ato e shkëpusin futbollin nga realiteti në të cilin fëmijët po vriten,” tha Bidnyi për Sky Sports.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka theksuar vazhdimisht se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë që Rusia të rikthehet në garat ndërkombëtare, duke përsëritur qëndrimin e mbajtur edhe në konferencën përmbyllëse të Kongresit të UEFA-s në prill të vitit të kaluar.
Infantino gjithashtu mbrojti vendimin e FIFA-s për t’i dhënë një çmim për paqen presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në shortin e Kupës së Botës 2026.
“Çfarëdo që mund të bëjmë për të ndihmuar paqen në botë, duhet ta bëjmë. Për këtë arsye, prej disa kohësh kemi menduar nëse duhet të bëjmë diçka për të shpërblyer njerëzit që kontribuojnë,” tha Infantino.
“Objektivisht, ai (Trump) e meriton.”