Presidenti i klubit italian Como, Mirwan Suwarso, ka zbuluar se klubi i tij ka arritur një marrëveshje me Milanin dhe Alvaro Moratën për një transferim të mundshëm, por gjithçka tashmë varet nga negociatat mes Milanit dhe Galatasarayt.
Duke folur për Sky Sport, Suwarso tha:
“Kemi bërë gjithçka që na takonte. Kemi arritur marrëveshje me Milanin dhe me Moratën, por tani është radha e Milanit dhe Galatasarayt të bisedojnë mes tyre.”
Suwarso komentoi gjithashtu për suksesin e turneut parasezonal “Como Cup”, duke thënë se:
“Qëllimi ishte të angazhonim edhe turistët, për t’ua bërë të ditur njerëzve se ka një ekip futbolli në Como dhe për t’ua treguar më të mirën që ofron ky klub.”
E ardhmja e Moratës në pikëpyetje – Como pret Milanin dhe Galatasarayn
Situata e Alvaro Moratës është e ndërlikuar, pasi sulmuesi aktualisht është i huazuar te Galatasaray. Ai iu bashkua gjigantëve turq në shkurt, me një marrëveshje huazimi që zgjat deri në janar 2026, e cila përfshin mundësinë e blerjes përfundimtare nga ana e Galatasarayt si dhe një opsion zgjatjeje të huazimit deri në qershor 2026.
Ndërkohë që Como dhe Milan kanë gjetur marrëveshjen për transferimin, gjithçka varet nga anulimi i marrëveshjes së huazimit me Galatasarayn. Pa këtë hap, Morata mbetet në Turqi dhe Como e humb një nga objektivat kryesorë të merkatos verore.
Megjithatë, nëse Victor Osimhen kalon te Galatasaray, atëherë klubi turk mund të jetë më i gatshëm të lërë të lirë Moratën, çka do t’i hapte rrugën transferimit të tij në Como. /GazetaExpress/