Presidenti Biden dhe Kosova (II) - Gazeta Express
string(30) "presidenti-biden-dhe-kosova-ii"

OP/ED

Gazeta Express

25/11/2020 15:08

Presidenti Biden dhe Kosova (II)

OP/ED

Gazeta Express

25/11/2020 15:08

Presidenti i zgjdhur Biden dhe Administrata e tij do të bëjnë çmos, në koordinim të plotë me BE-në, që dialogu i Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet sa më parë, me njohjen reciproke, në kufijtë ekzistues.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Hillary Clinton në librin e saj ‘Hard Choices’  (‘Zgjedhjet e vështira’), i cili i tëri i kushtohet përvojës së saj si Kryediplomate e Amerikës, në mandatin e parë të Presidentit Obama (në vitet 2009-2013), në përpjekjen personale për të përmbledhur mësimin kryesor që e kishte marrë në këto vitet e një angazhimi të jashtëzakonshëm politik dhe diplomatik, do të shkruan: ‘Teksa ka pak probleme në Botën e sotme të cilat Shtetet e Bashkuara mund t’i zgjidhin vet, janë edhe më të pakta problemet të cilat mund të zgjidhen pa Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, unë jam e bindur që lidershipi i ynë  (i Amerikës, vër.ime), nuk është një e drejtë e lindur. Ky  (lidershipi i Amerikës), duhet të fitohet prej secilit brez.’

Libri i kujtimeve të Sekretares Clinton është botuar për herë në vitin 2014, apo, nuk ka fare të bëjë me dyluftimin e saj të mëvonshëm presidencial me Donald Trumpin, në nëntorin e vitit 2016.

Por, nuk ka kurfarë dyshimi që kjo fjali e saj me të cilën Clinton rrumbullakëson punën e saj si Sekretare e Shtetit, ka një qëndrueshmëri të plotë sot e kësaj dite, dhe mund të jetë një lloj udhërrëfyesi edhe për Presidentin e zgjedhur Joseph Biden.

Në periudhën e Administratës Presidentit Trump  (në vitet 2017-2021), me atë krye-moton e tij izolacioniste ’America First’, Trump u shfaq si bartësi kryesor i politikës ndërkombëtare të SHBA-së, e cila shpërfaqte haptas abstenimin e SHBA-së nga roli i liderit të ’Botës së lirë’.

Për më shumë, mosbesimi thelbësor i Trumpit në institucionet dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe ato të cilat i kishte themeluar vet Washingtoni, çfarë është ta zëmë Aleanca Veri-Atlantike, bëri që Administrata e tij të ketë raporte tej mase të vështirësuara me BE-në, me Paktin NATO, në përgjithësi me Evropën.

Në rastin e Kosovës dhe të dialogut në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, megjithatë, ka ekzistuar një bashkëpunin më mes të State Departmentit dhe EEAS-it të Federica Mogherinit, por ka pasë kohë pas kohe edhe veprime unilaterale të Shtëpisë së Bardhë përmes Richard Grenellit. Megjithatë, edhe Grenell, në mandatin e tij si Përfaqësues Special i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, thuaja në të gjitha prononcimet e tij mediatike, ka potencuar rolin e Brukselit në këtë dialog, apo, nuk e ka përjashtuar ate. Përkundrazi.

Por çka mund të pritet nga Presidenti i zgjedhur i Amerikës Joseph Biden dhe nga Administrata e tij në trajtimin e temës madhore për ne, dhe për stabilitetin afatgjatë të kësaj ane të Evropës, asaj të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe mundësisë për ta bërë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë?

Katërvjetëshi i ardhshëm presidencial i Bidenit, në të gjitha variantat e mundshme, përfaqëson kornizën kohore brenda së cilës duhet të merr formën finale ky dialog dhe duhet të bëhet Marrëveshja Ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas të gjitha gjasave, Biden fillimisht do të gjindet në atë situatë të cilën e pati përjetuar Presidenti George W. Bush, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 2004, dhe mori mandatin e dytë si President i SHBA-së.

Lufta e Amerikës në Irak (2003 e tutje), dhe reagimet e shteteve kryesore të Evropës në kundërshtim të saj, pati ftohur tej mase marrëdhëniet e Amerikës me Evropën, edhe pse edhe në BE pati shtete që e patën mbështetur këtë luftë  (Spanja, Italia, Polonia, etj).

Bush dhe Administrata e tij e patën bërë prioritet të vetin absolut, qysh në ditët e para të mandatin të dytë presidencial, mëkëmbjen e raporteve me BE-në.

Bush do ta bëjë një vizitë disaditore në Bruksel, në fund të muajit shkurt të vitit 2005-të.

Në mesin e temave/ çështjeve të cilat sipas tij do të duhej të bashkonin Amerikën dhe BE-në, me synim për ta zgjidhur atë në vitet e ardhshme të partneritetit të ri-gjetur transatlantik, ishte edhe Kosova, apo statusi i saj.

Bush kishte ndarë mendjen tashmë se çka duhet bërë me statusin e Kosovës. Bëhej fjalë pra për pavarësinë e Kosovës.

Por, me këtë logjikën e shfaqur shkëlqyeshëm vite më pas nga Hillary Clinton  (në librin e saj ’Hard Choices’), Administrata e tij vlerësoi që SHBA dhe BE së bashku duhet ta organizojnë dhe strukturojnë procesin ndërkombëtarë i cili do ta adresojë statusin e Kosovës.

Ky me gjasë do të jetë qëndrimi edhe i Presidentit të zgjedhur Biden.

Pra, prioriteti i tij sa i përket raporteve të SHBA-së dhe Evropës, do të shquan ri-përkushtimin e Amerikës për Paktin NATO  (John Bolton, ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, kohë më pari pati deklaruar që poqëse Trump i fiton zgjedhjet, SHBA-ja do ta braktisë Aleancën Veri-Altantike), dhe për partneritetin tradicional me BE-në.

Megjithatë, pritet të ketë edhe një kontinuitet gjeo-politik dhe gjeo-strategjik i SHBA-së në këto anë të Evropës  (politikë kjo e State Departmentit në kohën e Mike Pompeos), kur bëhet fjalë për përpjekjet për ta luftuar maksimalisht ndërhyrjen e Rusisë, së voni edhe të Kinës, në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i zgjedhur Biden dhe bashkëpunëtorët e tij, e dinë fare mirë që janë disa punë të mëdha të papërfunduara në Ballkanin Perëndimor, të cilat janë trashëguar administratë pas administrate  (amerikane), ky më kryesorja ka të bëjë me raportet vazhdimisht të tensionuara dhe problematike të Kosovës dhe Serbisë.

Duket që koha e asaj fjalie emblematike të Bidenit, sa ishte Zëvëndës-President i SHBA-së, në shpjegimin e qëndrimeve diametralisht të kundërta në mes të Washingtonit dhe Beogradit për Kosovën  (’Ne pajtohemi që nuk pajtohemi’), ka skaduar.

Tek e fundit, në ndërkohë, në katër vitet e mbrama, marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë kanë pësuar një ndërlikim dhe përkeqësim, gjë e bën të pashmangshëm një angazhim më të madh të Administratës së Bidenit, veçmas në krahasim me atë të Presidentit Obama.

Në anën tjetër, Biden vet, në atë periudhën e fushatës për zgjedhjet presidenciale, e pari artikuluar në mënyrën më kategorike të mundshme qëndrimin e tij për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Biden e theksoi qartë që bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të konkludohen me njohjen reciproke, duke respektuar kufijtë ekzistues të dy shteteve.

Kjo zatën është një bindje dhe një qëndrim personal i Bidenit që nga përfundimi i luftës në Kosovë, teksa është po ashtu edhe një trashëgimi e Administratës së Presidentit Trump.

Sidoqoftë, nuk ka kurfarë dyshimi që Administrata e Bidenit do t’i bashkërendojë të gjitha përpjekjet me BE-në, me Gjermaninë dhe Francën  (dihet pse roli i Berlinit dhe i Parisit është fuqizuar në këtë kontekst pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja), për ta çuar deri te epilogu i duhur dialogun e instancave më të larta të Prishtinës dhe Beogradit.

Do të ndodhë, sipas të gjitha gjasave, ajo çfarë ka kërkuar tash e sa kohë Berlini zyrtar, që të ketë një ’dialog të strukturuar mirë’ në Bruksel, i cili do të përkrahet fuqimisht nga Washingtoni, ku nuk do të ishte befasi nëse tutje do të kishte Emisar Special të State Departmentit për këtë dialog dhe në përgjithësi, për Ballkanin Perëndimor.

Sa i përket raporteve tona, si politikë e Kosovës me Presidentin Biden dhe me Administratën e tij, ne duhet ta kemi të qartë që rrethanat në rajon, në Evropë, në SHBA dhe në Botë kanë ndryshuar shumë nga vitet kur Biden dhe përkrahësit e tij në Senat dhe në Kongres, në pranverën e vitit 1999-të, këmbëngulnin tek Presidenti Clinton që ky t’i përdorë të gjitha masat e duhura (përfshirë këtu edhe ofenzivën tokësore ushtarake), që Kosova të çlirohet nga Serbia.

Pa kurfarë dyshimi, Biden dhe Administrata e tij do të bëjnë çmos, në koordinim të plotë me BE-në, që dialogu i Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet sa më parë, me njohjen reciproke, në kufijtë ekzistues.

Por po ashtu, pa kurrfarë dileme, Biden dhe Washingtoni zyrtar, do të vazhdojnë me politikën e fuqizimit të raporteve me Beogradin zyrtar, apo, me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučićin, pos tjerash, në përpjekjen e domosdoshme të SHBA-së për ta minimizuar rolin e Federatës së Rusisë në Serbi.

Washingtoni dhe Brukseli do të bashkëpunojnë në synimin për ta kthyer Serbinë kah Perëndimi, diçka që në dy shekujt e fundit (apo prej vitit 1903 e këndej), ka ndodhë realisht vetëm një herë, në vitet 2000-2003, kur Kryeministër i Serbisë ka qenë Zoran Đinđić.

Dihet si përfundoi Đinđić.

Në anën tjetër, raportet e Bidenit me skenën politike të Kosovës, njohin dy periudha: Atë shumë të mirën, dhe një tjetër shumë problematike, e cila disi po lihet anash javëve të fundit në atë turrin masiv ndër ne për t’ia uruar fitoren zgjedhore Presidentit të ri.

Në gusht të vitit 2016-të, kur Josepr Biden, në cilësinë e Zëvëndës-Presidentit vizitoi Kosovën, ai dështoi keq që t’i bindë politikanët e Kosovës për Ratifikimin e Marrëveshjes për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Ai pati llogaritur që koalicioni qeverisës ka mjaft vota në Kuvendin e Kosovës  (gjë që ishte teknikisht e vërtetë), që edhe pa përkrahjen e opozitës ta kalojë këtë Ligj dhe ta fitojë Liberalizmin e vizave, gjë që mund të arrihej hiç ma largë se në fund të këtij viti.

Biden ishte zyrtari i tretë i lartë të cilin politikanët e Kosovës e kthyen mbrapsht në atë kohë.

Së pari ishte Victoria Nuland, Asistent-Sekretarja e Shtetit për Evropë.

Së dyti ishte John Kerry, Sekretari i Shtetit.

Së treti, ishte vet Joseph Biden, Zëvëndës-Presidenti i Amerikës.

Te tretë na patën thënë që shenjimi i kufirit i Kosovës dhe Malit të Zi është në rregull dhe që ai duhet të Ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, ashtuqë Kosova ta fitojë Liberalizmin e vizave.

Zatën, prej vitit 2015 e tutje, edhe pse ne këtë nuk duam ta pranojmë, apo, këtë fakt duam ta menjanojmë me ato porositë që ne jemi shteti dhe populli më pro-amerikan në Botë  (kjo vlenë gjithsesi për popullin e Kosovës, por është e dyshimtë kur flitet për skenën politike të vendit), ne kemi kaluar pesë vite të marrëdhënieve problematike me Amerikën. Diçka e tillë, në parë, nu ka mundur të paramendohet as në skenaret më të këqija të mundshme.

Ne kemi kthyer mbrapshtë Amerikën për kufirin e Kosovës me Malin e Zi, për tarifën në mallërat e Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës, për dialogun e Kosovës dhe Serbisë.

Politika kosovare, në radhë të parë udhëheqësia institucionale e Kosovës, do të duhej ta tejkalojë një herë e mirë këtë raport të gabuar me Washingtonin, dhe ta kthejë në fuqi atë relacionin e një bashkëpunimi të sinqertë për të gjitha çështjet me interes të Kosovës, por edhe të SHBA-së.

Ky do të duhej të ishte prioritet absolut i Prishtinës zyrtare.