Presidenti Biden dhe Kosova (I) - Gazeta Express
string(29) "presidenti-biden-dhe-kosova-i"

Presidenti Biden dhe Kosova (I)

Gazeta Express

24/11/2020 14:11

Vlerësimi mbizotërues i vitit 2010, në Washington dhe në Bruksel, i cili s’ka pasë si të mos përkrahet në Prishtinë, që dialogu i Brukselit do t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë gradualisht, kah një Marrëveshje për njohje reciproke, doli të ishte i paqëndrueshëm.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Joseph Biden, Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të betohet me 20 janar të vitit 2021 si Presidenti i 46-të i republikës më të fuqishme në historinë e Qytetërimit, është, nëse mund të thuhet kështu, ‘Mohikani i fundit’ i brezit të politikanëve dhe diplomatëve të Amerikës dhe Evropës, që kishin rol të madh në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Në fakt, kur bëhet fjala për bërjen e Kosovës shtet të pavarur, e pranishme në skenën politike është vetëm edhe Angela Merkel, Kancelarja e Gjermanisë, teksa Biden është fillikat vetëm në atë shumësinë e politikanëve dhe diplomatëve që ndikuan shumë në bërjen e Kosovës vend të lirë.

Të gjithë politikanët dhe diplomatët e tjerë perëndimorë, ose janë pensionuar, ose nuk janë më gjallë.

Në këtë kontekst, Biden, pa kurrfarë dyshimi, është një njohës i shkëlqyeshëm i rrethanave në Kosovë, në rajon dhe në Evropë, i cili e di fare mirë se çfarë ka ndodhur këndejpari, kush për çka është përgjegjës në historinë tragjike të Kosovës dhe të rajonit, cili ka qenë roli i Amerikës dhe i Aleancës Veri-Atlantike në çlirimin e Kosovës, çfarë ka bërë Amerika që Kosova të bëhet shtet i pavarur.

Një njohuri dhe një përvojë e kësisoj, njëmend e pashoq ndër burrshtetasit e Perëndimit, është një vlerë e madhe historike dhe politike për Kosovën dhe për rajonin, veçmas në këto rrethanat e viteve të fundit, kur disi nisi të turbullohet ajo pamja gjithmonë e qartë e të gjitha krimeve që kishte bërë Serbia në Kosovë, dhe e përgjegjësisë së padiskutueshme të elitës politike në Serbi për tragjeditë në Kosovë dhe gjetiu, e cila asnjëherë nuk u ndëshkua si duhet në Tribunalin e Hagës për krime lufte. Madje, kjo përgjegjësi pësoi një relativizim të skajshëm në emër të ofrimit të një perspektive evropiane për Serbinë dhe të largimit (eventual) të Serbisë nga ndikimi rus, teksa realisht, Serbia nuk do të duhej të kishte fare një perspektivë evropiane pa qërimin e hesapeve me veten dhe me historinë e prodhuar prej saj e cila siç pati thënë Presidenti amerikan Bill Clinton  (kur kumtoi fillimin e fushatës së Paktit NATO, në marsin e vitit 1999-të), ka mbushur varre masive shumë vende të Ballkanit.

Pra, Bidenit nuk ka kush çka t’i shpjegojë dhe sqarojë për Kosovën, Serbinë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.

Tek e mbrama, ai, si Zëvëndës-President i Amerikës, në dy mandatet e Barrack Obamës  (apo, në vitet 2009-2017), ka qenë në mënyrë të drejtpërdrejtë i angazhuar në mbulimin e kësaj pjese të Evropës, në emër të Administratës Amerikane.

Në këtë kapacitet, ai pati vizituar dy herë Kosovën: Në majin e vitit 2009-të, ku u pati pritur si një mik i madh i Kosovës, me porositë e tij të cilat u mirëpritën prej të gjithëve, me atë fjalinë e tij emblematike që ’Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme’, dhe në gushtin e vitit 2016-të, kur ai u pati ndarë shumë keq me politikanët e Kosovës  (për këtë do të shkruhet pak më vonë), duke u larguar nga Prishtina i mërzitur dhe i zhgënjyer, megjithë inaugurimit të rrugës Ferizaj – Gjilan në emrin e të birit të tij të ndjerë, Beau Biden.

Në mandatin e tij të parë si Zëvëndës-President, Biden e ka pasë afër vetes edhe Hillary Clintonin, Sekretaren e Shtetit.

Për shkaqe nga më të ndryshmet, për të cilat mbase ia vlenë të bëhet një analizë e gjatë, ku arsyeja kryesore kishte të bënte me synimin e Presidentit Obama që një hiper-aktivizëm (mbase, të detyruar dhe të imponuar nga rrethanar ndërkombëtare), të Presidentit George W. Bush në politikën e jashtme ta zëvëndësojë me një diplomaci shumë të matur dhe shumë të kujdesshme  (me slloganin e tij ’Don’t do stupid things’ apo ’Mos bë gjëra të marra’), Obama në dy mandatet e tij do të mirrej fare pak me Ballkanin dhe në përgjithësi me Evropën.

Një finale e ndërmarrjes ndërkombëtare, e udhëhequr në radhë të parë nga Amerika e Bill Clintonit dhe George W. Bushit, e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, e cila kulminoi me Verdiktin e ICJ-së  (Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë), të korrikut të vitit 2010-të, i cili edhe nga prizmi i Ligjit/ të Drejtës Ndërkombëtare, konfirmoi bërjen e shtetit të Kosovës, nuk do të merrte, siç do të duhej, edhe formën e ushtrimit të një presioni dhe kushtëzimi të Serbisë për ta njohur Kosovën.

Në Beograd në atë kohë ishte në pushtet Presidenti Boris Tadić, i cili për tetë vjet të plota  (2004-2012), ishte President i Serbisë. Tadić gjatë gjithë këtyre viteve, njëkohësisht mashtronte Perëndimin që do të jetë bashkëpunues në adresimin e temës së Kosovës  (këtë e ka bërë edhe gjatë Procesit të Vienës të udhëhequr nga Presidenti Ahtisaari), dhe vazhdimisht arrinte të alarmojë Washingtonin dhe Brukselin që nëse ai do të ’lëshojë pe’ në rastin e Kosovës, në pushtet do të vinin radikalët e Vojislav Šešeljit, dhe pastaj do të ndodhte hataja në Serbi dhe në Kosovë.

Në fund të karrierës së tij, kur në majin e vitit 2012-të, ai pësoi disfatën në zgjedhjet presidenciale nga ‘radikali i reformuar’ Tomislav Nikolić  (i cili bashkë me Aleksandar Vučićin themeloi SNS-in), doli që ai as nuk bëri gjë për ta pranuar realitetin në Kosovë  (fundja, ka mundur ta akuzojë liderin serb Slobodan Miloševićin që ‘ai e ka humbur Kosovën në vitin 1999-të), dhe as nuk arriti ta demokratizojë Serbinë.

Tadić thjeshtë ia humbi tetë vjet Serbisë, Amerikës dhe Evropës. Natyrisht, edhe Kosovës.

Sidoqoftë, insistimi këmbëngulës i Washingtonit dhe Brukselit që disi të baraspeshohet mbajtja në pushtet e Tadićit, i cili ndryshe i dha mbështetje qasjes krejtësisht nacionaliste karshi Kosovës të Vuk Jeremićit, Ministrit të tij të Jashtëm  (iniciuesit të procesit në ICJ për pavarësinë e Kosovës, përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në tetorin e vitit  2008-të), dhe përkrahja ndërkombëtare për shtetin e Kosovës, bëri që bisedimet e supozuara në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit për njohjen reciproke, në vjeshtën e vitit 2010-të, të zëvendësohen, përmes Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së  (shtator, 2010), me një dialog që do të lehtësohej nga BE-ja, gjegjësisht nga Catherine Ashton, Kryediplomatja e parë e Bashkimit Evropian.

Hyri në fuqi dhe mbeti deri sot e kësaj dite  (në pafuqi, siç është situata tash e sa vjet), logjika sipas të cilës, aspirata e Serbisë për tu bërë shtet anëtar i BE-së, do të shpërblehej nga Brukseli  (me përkrahjen dhe bilaterale të SHBA-së, në komunikimin e Washingtonit me Beogradin), me kusht të njohjes së Kosovës nga Serbia, kur të krijohen kushtet që Serbia të jetë shumë pranë këtij anëtarësimi.

Dihet çfarë ndodhi në ndërkohë: As nuk u bë Marrëveshja e madhe politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe as nuk ka fare shenja që Beogradi, brenda një periudhe afatmesme kohore do të bëhet shtet anëtar i BE-së.

Për më shumë, i gjithë kooperativiteti i pushtetarëve të Kosovës me këtë qëndrim të prerë të Washingtonit dhe Brukselit për një ’dialog/ proces të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë’, nuk ka pasë kundërvlerën apo kundëshpërblimet e duhura.

E vetmja arritje që mbahet në mend në këtë harkun kohor 2010-2020, është SAA-ja  (apo Marrëveshja e Stabilizim Asociimit), e nënshkruar në shtatorin e vitit 2015-të nga Prishtina dhe Brukseli.

Transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, në dhjetorin e vitit 2018-të, është akt bilateral i Washingtonit dhe Prishtinës, por këtu duhet shtuar që ky proces ende është në vendnumërim, sepse nuk është njohur nga Aleanca Veri-Atlantike.

Qëndrimi i Administratës së Obamës në raport me Serbinë, kur bëhej fjalë për shtetin e Kosovës, edhe në vizitat që Zëvëndës-Presidenti Biden i pati bërë në Beograd, u pati kondenzuar në një fjali të vetme: ’Ne pajtohemi që nuk pajtohemi’  (rreth pavarësisë së Kosovës).

Sidoqoftë, vlerësimi mbizotërues i vitit 2010, në Washington dhe në Bruksel, i cili nuk ka mundur si të mos përkrahet në Prishtinë, që koha do ta bëjë të veten, dhe që dialogu i Brukselit do t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë gradualisht, kah një Marrëveshje për njohje reciproke, doli të ishte i paqëndrueshëm.

Në ndërkohë, gjithçka u ndërlikua në Kosovë (problemet me mos-funksionimin e vazhdueshëm të politikës kosovare, së fundit, problemet që kanë të bëjnë me pasojat politike të Aktakuzave të Zyres të Prokurorisë së Specializuar në Hagë), në rajon  (me ndërhyrjen e Rusisë), në Evropë  (ngritja e Popullizmit, mësymja e refugjatëve nga vatrat e luftës jashtë Evropës, kriza e madhe financiare e Greqisë dhe shteteve të tjera të BE-së), dhe në Botë  (SHBA-ja nuk e ka atë rolin që e ka pasë në vitet 1990-2008).

Pra, tani janë rrethanat shumë më të vështira për ta kryer punën në relacionin më mes të Kosovës dhe Serbisë, sesa që kanë qenë në vjeshtën e vitit 2010-të, kur Serbia i pati humbur të gjitha luftërat e mundshme politike, diplomatike, legale karshi Kosovës, SHBA-së dhe Evropës.

Kështu del që SHBA-ja, BE-ja dhe Kosova e humbën një rast të madh në vjeshtën e vitit 2010, për ta kryer temën e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

Nesër: Presidenti i zgjdhur Biden dhe Administrata e tij do të bëjnë çmos, në koordinim të plotë me BE-në, që dialogu i Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet sa më parë, me njohjen reciproke, në kufijtë ekzistues.