Gjatë vizitës së tij njëditore në Maqedoninë e Veriut, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një takim të veçantë me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Begaj vlerësoi lart rolin e shqiptarëve në jetën politike të vendit fqinj dhe ndau vlerësimin e tij për kontributin e Ahmetit në këtë proces.
“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh e të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike,” shkroi Presidenti Begaj.
Takimi me kreun e BDI-së u zhvillua gjatë vizitës pune të Presidentit shqiptar në Ohër, ku një ditë më parë ai ishte pritur nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Në qendër të kësaj vizite ishin marrëdhëniet mes dy vendeve, integrimi europian dhe nxitja e projekteve të përbashkëta mes dy popujve.
Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj theksoi rolin unifikues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar si një urë lidhëse dhe një garanci për progresin e përbashkët në rajon.