string(74) "presidenti-begaj-pritet-me-nderime-nga-komuniteti-shqiptar-ne-philadelphia"

Shqiperi

Gazeta Express

23/05/2025 17:04

Presidenti Begaj pritet me ngrohtësi nga komuniteti shqiptar në Philadelphia

Shqiperi

Gazeta Express

23/05/2025 17:04

Një pritje e përzemërt iu rezervua Presidentit të Republikës Bajram Begaj nga komuniteti shqiptar në Philadelphia, ndërsa ndodhet i ftuar në Forumin për Partneritet dhe Paqe dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton.

Në nder të tij, Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” organizoi një ceremoni të posaçme me nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”. Gjatë këtij takimi, Presidenti vlerësoi kontributin e Diasporës shqiptare që prej fundit të shekullit XIX në jetën publike amerikane dhe përkushtimin e saj ndër breza për ruajtjen e identitetit shqiptar.

Ai solli në vëmendje rrugëtimin historik të shqiptarëve në SHBA, duke theksuar rolin e atdhetarëve që i dhanë jetë çështjes shqiptare nëpërmjet institucioneve politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të Amerikës. Presidenti vlerësoi gjithashtu nismat për krijimin e shoqatave dhe rrjeteve të bashkëpunimit, që kanë ndihmuar në integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane pa humbur identitetin e tyre.

Falë vlerave dhe standardeve demokratike të vendit që shqiptarët kanë zgjedhur si atdhe të dytë, Presidenti theksoi se ata kanë ndërtuar objekte shqipfolëse të kultit ortodoks, katolik dhe mysliman, të cilat janë kthyer në qendra të rëndësishme fetare, kulturore dhe arsimore.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi edhe shqiptarët që emigruan pas rënies së regjimit komunist, duke theksuar se ata i dhanë një hov të ri komunitetit përmes ngritjes së organizatave, shkollave shqipe dhe bizneseve. Ai nënvizoi përpjekjet për krijimin e qendrave shumëdimensionale që ruajnë identitetin kombëtar, kulturor dhe gjuhësor.

“Pikërisht në këtë shtet, në këtë mjedis multikulturor, shkolla ‘Bijtë e Shqipes’ ndihmon në parandalimin e asimilimit të plotë të brezave të rinj, duke mbajtur gjallë elementet shqiptare në jetën tuaj të përditshme. Unë jam i ndërgjegjshëm se sfidat tuaja për të mbajtur hapur e funksionale shkolla shqipe janë të shumta,” tha ai, duke përmendur vështirësitë për sigurimin e fondeve, mësuesve të kualifikuar dhe materialeve cilësore në gjuhën shqipe.

Presidenti u zotua se do të bëjë gjithçka në mbështetje të këtij misioni fisnik.

Gjatë qëndrimit në Philadelphia, ai vizitoi gjithashtu Kishën Ortodokse të Shën Gjergjit – një nga më të hershmet e komunitetit shqiptar në SHBA – si dhe shtypshkronjën e parë shqiptare, që sot administrohet nga gra sipërmarrëse.