Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim Ministrin e Jashtëm të Qipros, Constantinos Kombos.
Gjatë bisedës u vlerësuan marrëdhëniet e konsoliduara midis dy vendeve dhe u shpreh gatishmëria për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Presidenti Begaj vlerësoi se niveli i dialogut politik mes Shqipërisë dhe Qipros do të përbëjë një shtysë për rritjen e këtij bashkëpunimi dhe në këtë kontekst i është dërguar një ftesë për vizitë në Shqipëri Presidentit të Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides.
Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e Qipros për integrimin evropian të Shqipërisë, duke shprehur angazhimin e Shqipërisë për bashkëpunimin e ngushtë gjatë Presidencës së Qipros në Këshillin e BE-së vitin e ardhshëm.
Ministri i Jashtëm i Qipros premtoi mbështetje të plotë për procesin integrues në BE të Shqipërisë për përmbylljen e kapitujve të negocimit gjatë presidencës qipriote të BE-së.
Gjatë bisedës u diskutua edhe për zhvillimet aktuale gjeopolitike në Evropë dhe rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.