Presidenti Begaj bën bashkë në Tiranë liderët e rajonit në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit - Gazeta Express
string(94) "presidenti-begaj-ben-bashke-ne-tirane-lideret-e-rajonit-ne-samitin-e-procesit-te-brdo-brijunit"

Shqiperi

Gazeta Express

06/10/2025 15:15

Presidenti Begaj bën bashkë në Tiranë liderët e rajonit në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit

Shqiperi

Gazeta Express

06/10/2025 15:15

Tiranë, 6 tetor 2025 – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mirëpriti sot në Shqipëri krerët e shteteve të vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijunit, një nismë e rëndësishme rajonale që synon nxitjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Samiti i mbajtur në Tiranë mblodhi në një tryezë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç, Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Bećirović, Zheljko Komšić dhe Željka Cvijanović, si dhe bashkëkryesuesit e Procesit, Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç.

Në qendër të diskutimeve ishin temat e integrimit evropian, Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, forcimi i bashkëpunimit rajonal, roli i të rinjve dhe siguria në rajon. Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbështet dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si elementë thelbësorë për ruajtjen e paqes dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Kreu i Shtetit ftoi homologët e tij të vazhdojnë qasjen konstruktive për të thelluar bashkëpunimin në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit, duke theksuar rëndësinë e qëndrueshmërisë institucionale dhe bashkërendimit të politikave për të përballuar sfidat e përbashkëta.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj u ndal te progresi i bërë nga Ballkani Perëndimor në bashkëpunimin rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Ai theksoi se përparimi i Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian është rezultat i reformave të ndërmarra për forcimin e institucioneve demokratike, pavarësinë e gjyqësorit, modernizimin e administratës publike, si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Duke vlerësuar arritjet e deritanishme të Procesit të Brdo-Brijunit, Presidenti Begaj nënvizoi se rajoni ende përballet me sfida që kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë dhe koordinim të vazhdueshëm:

“Përballja me sfidat e përbashkëta kërkon rritje të bashkëpunimit dhe koordinim më të ngushtë mes nesh”, u shpreh ai.

Presidenti Begaj theksoi se aspirata e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar, duke theksuar se ky proces gëzon mbështetjen e gjerë të shoqërisë shqiptare si rrugë drejt forcimit të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Samiti i Procesit të Brdo-Brijunit u mbyll me një deklaratë të përbashkët të presidentëve pjesëmarrës, që riafirmon përkushtimin ndaj paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.