Presidenti Bajram Begaj në Universitetin e Tetovës: Nga simbol rezistence, në provë serioze për cilësi dhe standarde - Gazeta Express
string(114) "presidenti-bajram-begaj-ne-universitetin-e-tetoves-nga-simbol-rezistence-ne-prove-serioze-per-cilesi-dhe-standarde"

Maqedoni

Gazeta Express

02/03/2026 10:22

Presidenti Bajram Begaj në Universitetin e Tetovës: Nga simbol rezistence, në provë serioze për cilësi dhe standarde

Maqedoni

Gazeta Express

02/03/2026 10:22

Gjatë një vizite zyrtare në Universiteti i Tetovës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mbajti një fjalim me peshë të veçantë simbolike dhe institucionale, duke e cilësuar këtë universitet si një nga projektet më të rëndësishme arsimore dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, shkruan Gazeta Express.

Ai rikujtoi rrugëtimin e vështirë të themelimit të universitetit, që lindi si një akt guximi historik në mbrojtje të së drejtës për arsim në gjuhën shqipe, në një kohë kur kjo e drejtë nuk njihej nga shteti.

Në fjalën e tij, Presidenti vlerësoi sakrificën e pedagogëve, studentëve, diasporës dhe mbështetësve ndërkombëtarë që kontribuuan në ngritjen dhe konsolidimin e këtij institucioni, duke theksuar se sot Universiteti i Tetovës nuk është më thjesht simbol i rezistencës, por një institucion publik që duhet të garantojë cilësi, standarde të larta akademike dhe kërkim shkencor serioz.

Presidenti Begaj u ndal te sfidat aktuale të arsimit të lartë, si nevoja për rritjen e cilësisë akademike, forcimin e autonomisë universitare, ndërlidhjen me tregun e punës dhe investimin në kërkim shkencor e ndërkombëtarizim. Ai theksoi se universiteti duhet të jetë hapësirë e mendimit të lirë, inkubator i elitave të së nesërmes dhe faktor aktiv në prodhimin e ideve dhe alternativave për shoqërinë, transmeton Gazeta Express.

Një mesazh i veçantë iu drejtua studentëve, të cilët ai i ftoi të mos mjaftohen me një diplomë formale, por të synojnë ekselencën dhe përgatitjen për konkurrencë rajonale e evropiane. Në përmbyllje, Presidenti nënvizoi se e drejta për arsim në gjuhën shqipe u fitua me sakrificë, ndërsa sot sfida kryesore mbetet rritja e përditshme e cilësisë, në mënyrë që e ardhmja e këtij universiteti të jetë histori suksesi dhe ekselence.

Në vijim keni tekstin e plotë nga fjalimi i Presidentit Begaj:

I dashur Rektor i Universitetit të Tetovës,

I dashur Kryetar i Senatit,

Të nderuar rektorë, dekanë, profesorë,

I nderuar Rektor i Universitetit të Tiranës,

Ambasadorë,

Profesorë të ardhur nga Shqipëria,

Mbi të gjitha, të dashur studentë, pjesëmarrës në këtë ceremoni,

Është nder, privilegj e kënaqësi të jem sot në Universitetin e Tetovës, në tempullin e dijes. Ky institucion nuk lindi nga një dekret administrativ, por nga një vendim i guximshëm historik!

Universiteti i Tetovës është një institucion publik, qe sot i shërben shoqërisë, i shërben shkencës, por më së shumti i shërben të ardhmes.

Shqiptarët dhe Tetova kanë ditur ta kthejnë aspiratën për dije në një projekt solid e të qëndrueshëm dhe kjo është arsyeja se pse ky takim i sotëm ka jashtëzakonisht rëndësi të madhe, jo vetëm për ato që u thanë nga rektorët e unicersiteteve, por për faktin e asaj çfarë përfaqëson ky tempull.

32 vite më parë, këtu në Tetovë u mor një vendim që ndryshoi rrjedhën e arsimit në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Universiteti u shpall në një kohë kur shteti nuk e njihte.

U kundërshtua.

U shpall jo legal.

U përndoq.

Por ai kurrë nuk u ndal.

Ky universitet nisi në një shtëpi private me tulla të kuqe, në kushte të vështira, me pedagogë që rrezikonin karrierën dhe lirinë, me studentë që regjistroheshin jo vetëm për diplomë, por, mbi të gjitha, për dinjitet, për t’u diplomuar në gjuhën amtare.

Një dekadë pas themelimit, pas Marrëveshjes së Ohrit, universiteti u legalizua. Ky projekt identitar u kthye në institucion shtetëror, nga rezistencë politike, u bë realitet akademik.

Sot, në Maqedoninë e Veriut funksionojnë tre struktura universitare me mësim në gjuhën shqipe: Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe njësitë në kuadër të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Ky është progres. Por progresi nuk matet vetëm me numra, sa universitete kemi.

Universiteti i Tetovës ishte akt për barazi. Sot është test për cilësi.

Sfidat janë të qarta, ju i dini më mirë se unë. Më lejoni të përmend disa prej tyre:

Së pari, cilësia akademike. Zgjerimi i shpejtë duhet të shoqërohet me kërkim shkencor, i cili duhet të jetë serioz, të ketë publikime, të ketë ndërkombëtarizim. Diploma sot nuk mjafton, duhet të ketë përmbajtje.

Së dyti, ajo që u përmend nga Rektori i Universitetit të Tiranës, autonomi reale. Është e vështirë, disa herë ka edhe problematika, por e vështirë ishte dhe hapja e Universitetit të Tetovës. Autonomia nuk do t’ju dhurohet, autonomia do të kërkohet, që të jetë realisht një autnomi e fituar. Kur një gjë fitohet, nuk dhurohet, shijon më shumë.

Universiteti duhet të jetë hapësirë e mendimit të lirë. Autonomia nuk është privilegj, është kusht për dinjitet akademik.

Së treti, sfida e tregut të punës. Studentët tuaj, që mbarojnë studimet, nuk konkurrojnë vetëm në Tetovë, as vetëm në Shkup. Ata konkurrojnë në Tiranë, Kosovë, Berlin, në Vjenë. Programet që ju bëni dhe aplikoni në universitetin tuaj duhet të flasin gjuhën e kohës, jo vetëm gjuhën e traditës.

Së katërti, financimi dhe kërkimi shkencor. Pa investim të qëndrueshëm në laboratorë, projekte dhe partneritete me tregun dhe sipërmarrjen, universiteti rrezikon të mbetet konsumues dijesh, jo prodhues i saj.

Por ka edhe një dimension tjetër që unë do të doja ta theksoja.

Universiteti nuk është thjesht një vend ku merret një diplomë. Është inkubator dijesh, është inkubator inteligjence. Është vendi ku formohet elita e së nesërmes: qoftë elita politike, qoftë elita ekonomike, elita financiare dhe akademike.

Sot këtu përgatiten ata që nesër do të drejtojnë institucione, kompani, media, banka, kërkim shkencor apo institucione të tjera. Cilësia e toleruar sot në auditor do të kthehet në paaftësi në qeverisje dhe paaftësi në shoqëri. Universiteti që rrit integritetin dhe mendimin kritik i jep vendit liderët që i duhen, liderë të fortë e të përgatitur për ta përfaqësuar atë.

Prandaj, mendoj se përgjegjësia juaj është më e madhe se sa një program studimi që ju mund të drejtoni apo të mësoni. Ju nuk përgatitni vetëm profesionistë, ju formësoni vendimmarrësit e dekadave që vijnë. Investimi në edukim është investim në të ardhmen tonë.

Në të njëjtën kohë, në momentet kur elitat politike shpesh duken të bllokuara apo vetangazhohen në konflikte, kur fragmentarizimi i faktorit politik shqiptar, sidomos këtu në Maqedoninë e Veriut, dobëson peshën përfaqësuese, inteligjenca universitare nuk mund të rrijë e të vëzhgojë. Inteligjenca universitare nuk është spektatore. Universiteti duhet të jetë vendi ku zëri i arsyes, hapësira e dialogut, platforma e debatit dhe analizës të gëlojnë përditë.

Askush, edhe unë sot, nuk i kërkon universitetit të bëjë partitë politike. Jo, në asnjë rrethanë. Për këtë paguhen dhe kemi politikanë me shumicë, por universiteti ka detyrimin të prodhojë mendim strategjik, duke ofruar alternativa, të cilat kontribuojnë në kohezionin tonë social, në kohezionin tonë shumëetnik. Të mos harrojmë se ky universitet është fryt i një lëvizjeje të gjerë intelektuale: i bashkësisë kulturore shqiptare; i profesorëve, si: Fadil Sulejmani, Agni Dika, Murtezan Ismaili; i diasporës që financoi kur shteti refuzonte ta financonte; i mbështetjes së miqve ndërkombëtarë, që e ngritën çështjen deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe sot jemi në Uashington, jemi në Evropë, por, mbi të gjitha, prezent që ditën e pare kur u hap universiteti, ishin pedagogët nga Shqipëria.

Të dashur studentë,

Ju jeni brezi që nuk studion më në kushte rezistence. Ju studioni në kushte normaliteti institucional. Dhe kjo është arritje. Por normaliteti nuk duhet të prodhojë rehati për ju. Duhet të prodhojë ambicie. Duhet ta shfrytëzoni këtë kohë për të përthithur dijen, me standardet më të larta që mund të jetë.

Mos u kënaqni me faktin që ky universitet ekziston dhe ju do të merrni një diplomë. Pyeteni veten çdo ditë nëse është mjaftueshëm i mirë, nëse pedagogët kanë bërë punën e duhur. Pyeteni veten nëse po përgatiteni ju për konkurrencë në të ardhmen, konkurrencë rajonale e më gjerë. Pyeteni veten: a sfidoheni ju intelektualisht?!

Sot shoqëria jonë nuk kërkon njerëz vetëm me ca diploma, kërkon specialistë, specialistë shumë shumë të aftë dhe mendje kritike. Mos u mjaftoni vetëm me një diplomë. Ju duhet të keni ekselencën. Sot gara juaj nuk është vetëm me bashkëmoshatarët tuaj këtu e përmenda pak më parë, është me shumë bashkëmoshatarë të tjerë në shume vende të tjera.

Ju jeni pjesë e një hapësire evropiane, ku konkurrenca është mjaft e fortë, por mundësitë janë të pashtershme. Arsimimi juaj këtu është garancia që identiteti ynë do te jetë i mbrojtur, i mbrojtur nga dija dhe jo nga retorika. Retorikë mund të bëjmë kurdoherë, por nuk sjell dobi për kombin.

Jetojmë në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Kujtoni, të dashur studentë, qe rrënjët tuaja shqipare janë këtu, ndaj unë ju ftoj që ju ta ndërtoni Evropën tuaj këtu, në shtëpinë tuaj, në Tetovën tuaj, në atdhe.

Dua të ndalem pak edhe për familjarët tuaj. Në kulturën shqiptare, prindërit tanë nuk kursehen për të edukuar fëmijët e tyre, kanë hequr nga vetja për të investuar te ju si studentë. Nënat tuaja presin me ankth telefonatën pas çdo provimi që ju bëni, me të drejtë. Baballarët ju ndjekin me krenari në çdo hap që ju hidhni përpara. Arsimi nuk është vetëm përpjekje dhe zgjedhje individuale që ju keni bërë për të studiuar në një degë të fakultetit. Për ne shqiptarët, është projekt familjar. Prandaj, një mirënjohje për prindërit dhe familjet tuaja, që jo vetëm ju mbështesin financiarisht, por, mbi të gjitha, ju japin besim për rrugën që keni zgjedhur! Diploma juaj është krenaria e tyre, është dinjiteti i familjes suaj.

Të nderuar pedagogë,

 Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona janë tradicionalisht të mira, miqësore, ku kontributi i faktorit shqiptar është i një roli të pazëvendësueshëm, një rol kyç. Fuqizimi i identitetit kombëtar dhe roli ynë Euroatlantik janë dy anë të së njëjtës medalje. Një faltor shqiptar i mirëshkolluar, i integruar dhe me vetëdije të lartë qytetare, është aseti më i madh i kombit tonë. Shqipëria e sheh arsimimin shqip në Maqedoninë e Veriut si pjese të një hapësire të përbashkët kulturore dhe akademike. Bashkëpunimi mes universiteteve tona duhet të thellohet, të kemi shkëmbime studentësh, programe të përbashkëta kërkimidhe platforma rajonale, sepse arsimimi në shqip nuk është çështje kufijsh, arsimimi në shqip është çështje cilësie.

 Besoj se me marrëveshjen e sotme të firmosur nga dy rektorët, do të kemi më tepër zhvillime në drejtim të përfitimit të përbashkët të dy universiteteve.

Historia juaj, të dashur pedagogë, është histori sakrifice. E di që nuk ka qenë e lehtë. Por tani beteja nuk është më për rezistencë dhe as për ekzistencë. Beteja tani është për standard dhe ky standard ju takon juve ta vendosni se ku është.

Universiteti i Tetovës nuk duhet të jetë vetëm simbol i së kaluarës, duhet të jetë laborator i së ardhmes, hapësirë ku liria akademike inkurajohet, ku kërkimi nuk është vetëm formalitet vetëm për ta patur në dosje, por është kontribut real për shoqërinë tonë.

Në fund, dua ta them qartë: Ky universitet i Tetovës u ngrit për të mbrojtur një të drejtë. Tani ai duhet t’ju përgatisë për të fituar një garë, një garë e cila është e lidhur edhe me kohën.

Ky universitet u krijua për të mos u nënshtruar. Sot ai duhet të mos kënaqet me minimumin, duget të vendosë standardin te maksimumi.

E drejta për arsim shqip. u fitua me sakrificë. Cilësia e këtij arsimimi shqip duhet të shtohet çdo ditë.

E kaluara juaj është histori rezistence, po, e vërtetë, por e ardhmja juaj duhet të jetë histori ekselence” tha Begaj./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement