Presidentja Vjosa Osmani është në pritje të Gjykatës Kushtetuese përpara se ta nënshkruajë dekretin për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, tha se ajo i ka njoftuar për këtë edhe partitë në takimimin konsulaltiv, në të cilin nuk mori pjesë Lëvizja Vetëvendosje.
“Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse, siç i ka njoftuar edhe partitë në takimin konsultativ, ajo është në pritje të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha Kupina.
Osmani të premten e nxori dekretin për ta shpërndarë Kuvendin pasi tha se institucioni legjislativ i vendit një ditë më parë nuk kishte arritur ta zgjidhte Presidentin e ri, sipas afatit kushtetues.
Dekretin, LVV-ja e çoi sot për shqyrtim në Kushtetuese. Në partinë e kryeministrit Albin Kurti thonë se Osmani mori një vendim që e shkel Kushtetutën e vendit. Në LVV thonë ndër tjerash edhe se dekreti i Osmanit “cenon stabilitetin shoqëror”.
Albulena Haxhiu nga kjo parti tha se ai vendim i Presidentes është “minim i punës së Kuvendit dhe minim i institucionit të Kuvendit”.