Presidenca shpërfill Thaçin, nuk e jep transkriptin e takimit me Kurtin - Gazeta Express

Lajme

Albioneta Ademi

26/09/2020 16:41

Presidenca shpërfill Thaçin, nuk e jep transkriptin e takimit me Kurtin

Lajme

Albioneta Ademi

26/09/2020 16:41

Hashim Thaçi e ofronte publikisht, në një studio televizive,  transkriptin e takimit me ish-kryeministrit Kurti për ta dëshmuar se po e thotë të vërtetën. Por, Zyra e Presidentit nuk i qëndroi pas fjalëve të Thaçit. 

Presidenca e Kosovës e ka zgjedhur heshtjen para një kërkese për të publikuar transkriptin e takimit të Hashim Thaçit me Albin Kurtit, që ka ndodhur në mars të këtij viti.

Express ka dërguar kërkesë në drejtim të Zyrës së Presidentit një ditë pasi Hashim Thaçi tha publikisht se është i gatshëm të publikonte transkriptin e bisedës me ish-Kryeministrin Kurti. Për këtë takim dyorësh, Presidenti Thaçi ka dhënë një version krejt tjetër nga ai i ish-kryeministrit Albin Kurti.

Për ta dëshmuar se fjala e tij është e vërtetë, Thaçi ka thënë në Pressing se është i gatshëm t’u japë mediave transkriptin e gjithë bisedës që e ka pasur me Kurtin.

 “Unë nuk e kam dëgjuar këtë opinion të z. Kurti dhe nuk dëshiroj të komentojë kush cka flet. Sa i përket takimit tonë, gjithçka është e regjistruar, është transkripti, mund ta merrni, mund ta botoni kur të keni qejf, të gjitha mediat”, ka thënë Thaçi të enjten për Televizionit 7.

Por, ky premtim i Hashim Thaçit është shpërfillur nga Zyra e Presidentit, e cila nuk i është përgjigjur kërkesës së Express për të pasur transkriptin e bisedës. Kërkesa për qasje në përmbajtën e bisedës Thaçi-Kurti i është dërguar shefit të kabinetit Bekim Collaku dhe këshilltarëve Ardian Arifaj, Artan Behrami, Adil Behramaj, Almira Sylaj. Asnjëri prej tyre nuk ka kthyer përgjigje.

Dy ditë para se Thaçi të fliste në Pressing, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje sqaroi për herë të parë se si, sipas tij, i është bërë i ditur plani i Presidentit për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Kurti tha se këshilltari i Thaçit, Ardian Arifaj, i ka thënë zyrtarit të lartë të LVV’së, Arben Vitisë, se bëhet fjalë për dhënien e një pjese të veriut, në këmbim të Preshevës.

 “Një takim disa ditë para se unë ta takoja presidentin, Arifaj ka takuar Arben Vitinë, të cilit i ka thënë ‘Beni, hajde ta kryejmë këtë punën e marrëveshjes thuaj edhe Albinit se edhe juve të Vetëvendosjes ju bie mirë sepse jeni për bashkim kombëtar’. Atëhere ministri e ka pyetur se çfarë marrëveshje është ajo me e dhënë veriun a? (Arifaj) i është përgjigjur ‘jo, jo veriun. Leposaviqin po, por Ujmani mbetet me ne, Trepça mbetet me neve edhe nuk i japim këto pasuri’”, ka thënë Kurti në KTV.

Ish-kryeministri në një moment tha se Thaci i ka thënë “të mos e marrë seriozisht Ardian Arifajn”.

Presidenti Thaçi tha të enjten se “nuk i kujtohet” që Kurti t’ia ketë përmendur këtë cështjen e bisedës së Arifajt me Vitinë. Ndërkaq, jep një tjetër version nga biseda me Kurtin.

Megjithatë, Thaci e vazhdoi zinxhirin e thashethemeve. Presidenti rrëfente se Kurti i ka thënë se nuk i beson njeriut të tij të afërt Glauk Konjufcës.

“Është vetëm një e vërtetë, unë i kam propozuar që të mos të ngarkohemi ne të dy me gjëra që do të mund të funskionalizoheshin edhe përmes njerëzve tjerë tanë; unë e kam propozuar z. Bekim Collaku që të komunikojë me dikë të afëert të tij, që ai edhe i beson edhe bashkëpunon me të. Ai më tha që unë nuk kam njeri që i besoj dhe që punoj kaq ngushtë, unë i marrë tana vetë. Unë i thash: ty të lumtë, por unë nuk punoj bash qashtu. Unë punoj me ekip, por leje bile Glaukun, se ai aty afër sillet me ty. Ai tha jo ti e di i kujt është ai. Unë e mbaj në distancë. Ishte një situatë interesante…”  , ka thënë Thaci.

Takimi për të cilin flasin tash Thaçi e Kurti, është mbajtur më 13 mars, në Presidencë dhe ka zgjatur më shumë se dy orë. Dy rivalët politikë të dy dekadave shënuan takimet e tyre të para, kur Albin Kurti u bë kryeministër e Thaçi e priste në Zyrë të Presidentit. /Express/