Presidenca e Kosovës ka anuluar tenderin e hapur për Planin e fizibilitetit nëse lagjja “Prishtina e Re”, që ndodhet në skaj të kryeqytetit, do të ishte një vend i përshtatshëm për një godinë presidenciale.
Ky institucion ka anuluar tenderin në të cilin kishin aplikuar tre operatorë ekonomikë, me arsyetimin se “janë krijuar rrethana të reja na pamundësojnë të procedojmë tutje me këtë aktivitet”, shkruan në vendimin e fundit më 29.07.2025 në faqen e-Prokurimi.
Në ditën kur u bënë të ditur operatorët ekonomikë që aplikuan për këtë tender, më 24.07.2025, Presidenca e Kosovës njoftoi se presidentja Vjosa Osmani nuk e ka miratuar planin ideor për objektin dhe se ky plan do të revidohet. Mirëpo, nuk ishte paralajmëruar se mund të anulohet tërësisht tenderi.
Plani ideor, ndër tjera parashihte të përfshinte: Sallën e Ballos, Suitën e Gjumit, Bibliotekën Presidenciale, Dhomën e Kredencialeve- me një fjalë, objekti planifikohej të ishte në rangun e presidencave ndërkombëtare. Në dosjen e tenderit ishte kërkuar që të bëhet prezantim i një mostre ideore për pamjen arkitektonike të objektit, duke u bazuar në praktika nga rezidenca të shteteve të tjera.
KALLXO.com më 28.07.2025, ka dërguar pyetje dhe ka këmbëngulur të marrë përgjigje se pse janë publikuar specifikat e planit ideor në dosjen e tenderit për hartimin e planit të fizibilitetit, pa pasur miratimin paraprak të Presidentes; se çfarë ndodh me tri ofertat e pranuara deri më tani;pse këto ndërhyrje dhe revidime të paralajmëruara nuk janë parashikuar më herët në proces; mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Njoftimi për kontratë për hartimin e Planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të Presidencës është bërë më 11.07.2025, e që afati për dorëzim përfundoi më 24.07.2025 në orën 14:00, për të vazhduar më pas me hapjen e tenderit pikërisht në të njëjtën ditë.
Tre operatorë ekonomikë kishin ofertuar: kompania “IPE-PROING Sh.p.k”, me çmimin 17, 500 euro; “ALB- Architect Sh.p.k” me ofertë 19, 900 euro dhe “Grupi i Operatorëve Ekonomikë FST Engineering Sh.p.k; AL -Engineering Sh.p.k dhe GJEO PROJEKT Sh.p.k” me ofertën më të ulët 16, 697 euro.
25 mijë euro ka qenë vlera e parashikuar nga Presidenca për Planin e fizibilitetit. Afati i paraparë për përfundimin e projektit të studimit të fizibilitetit ishte paraparë për 3 muaj.
Kosova është një nga shtetet e vetme të botës që nuk ka objekt të Presidencës.
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...