Arsenali humbi mundësinë për të fituar tre pikë të vlefshme në javën e 26-të të Premier League, duke barazuar 1-1 në transfertë ndaj Brentfordit në një ndeshje të luftuar deri në fund.
Brentfordi kishte rastin e parë serioz në minutën e 22-të, kur Igor Thiago goditi me kokë, por portieri David Raya shpëtoi skuadrën e tij. Arsenal kërkoi penallti në minutën e 38-të pas rrëzimit të Noni Maduekes, por gjyqtari lejoi lojën të vazhdojë.
Në pjesën e dytë, trajneri Mikel Arteta hodhi në fushë Martin Odegaard, dhe presioni i “Topçinjve” u shpërblye në minutën e 61-të. Noni Madueke shënoi me kokë pas një krosi të saktë nga Piero Hincapie, duke i dhënë avantazhin Arsenalit 0-1.
Megjithatë, Brentfordi reagoi dhe barazoi në minutën e 71-të. Një rivënie e gjatë anësore u devijua nga Sepp van den Berg, dhe Keane Lewis-Potter shtyu topin në rrjetë për 1-1.
Në minutat e fundit pati raste nga të dyja ekipet, përfshirë një goditje të rrezikshme të Igor Thiagos, por ndeshja u mbyll 1-1.
Ky rezultat i kushton Arsenalit në luftën për titull, ndërsa diferenca me Manchester Cityn është vetëm katër pikë. Me disa javë të mbetura, çdo gabim mund të jetë vendimtar në garën për titull. /GazetaExpress