Prekëse, Kryeministri i sëmurë britanik është duke pritur për t'u bërë baba - Gazeta Express

Prekëse, Kryeministri i sëmurë britanik është duke pritur për t’u bërë baba

Lajme

Gazeta Express

07/04/2020 11:13

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i cili tash për tash ndodhet në kujdes intensiv në spital shkaku i koronavirusit, është duke pritur për t’u bërë baba.

 Johnson është i fejuar me Carrie Symonds-in dhe pritet të bëhet baba këtë verë. Ky do të jetë fëmija i gjashtë i tij.

Ai më parë ka qenë i martuar me një grua tjetër. Me gruan e parë, Marina Wheeler, i ka katër fëmijë, ndërsa e ka edhe një fëmijë me Helen Macintyre-n, shkruan Gazeta Express.

Ministri britanik, Michael Gove, e ka pranuar se beteja e kryeministrit Boris Johnson me koronavirusin në sektorin e kujdesit intensiv në spital është vërtet e frikshme, duke shtuar se minsitrat e kabinetit qeveritar po luten për shërimin e shpejtë të shefit të tyre, transmeton “Daily Mail”.

Kryeministri Johnson u transferua në sektorin e kujdesit intensiv në spitalin “Saint Thomas” të Londrës dhe u fut në oksigjenoterapi pasi gjendja e tij shëndetësore u rëndua në masë të konsiderueshme brenda më pak se dy orëve.

Ai kishte probleme me frymëmarrjen dhe mjekët u frikësuan se do të detyrohen të përdorin respirator. Kështu, kryeministri ia ngarkoi përgjegjësitë e tij përkohësisht ministrit të jashtëm, Dominic Raab, i cili tashmë e ka udhëhequr një mbledhje të zyrtarëve qeveritarë.

Shumë liderë botërorë i kanë ofruar përkrahje dhe i kanë dëshiruar shërim të shpejtë kryeministrit britanik, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, dhe atë francez, Emmanuel Macron.