Prapaskenat, SHBA dhe Britani ndërmjetësuan për një marrëveshje mbi reformën zgjedhore


Gazeta Express
14 Janar 2020 20:25

Fillimisht një marrëveshje për t’u ulur në tryezë dhe më pas për të arritur një tjetër marrëveshje për reformën zgjedhore. Që mazhoranca dhe opozita të arrinin të uleshin përballë njëra-tjetrës është dashur një përpjekje e vazhdueshme nga ndërkombëtarët.

Top Channel mëson se përpjekja e trupit diplomatik në Shqipëri për të ulur palët në dialog ka nisur rreth 1 vit e gjysmë më parë.

Ka qenë përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe që janë angazhuar intensivisht për të afruar qëndrimet e PD dhe PS. Amerikanët dhe britanikët kanë zhvilluar takime të ndara me kryeopozitarin Lulzim Basha, por edhe me Oerd Bylykbashin, i cili është mandatuar së fundmi për të përfaqësuar PD-në në tryezën e “Këshillit Politik”.

Diplomatët kanë zhvilluar takime edhe me Damian Gjiknurin e Partisë Socialiste, i cili bashkëdrejton Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore me Rudina Hajdarin.

Falë ndërmjetësimit të SHBA dhe Britanisë është bërë e mundur që palët të heqin dorë nga kushtet dhe të bien dakord për marrëveshjen që u bë publike sot, e cila parashikon formimin e Këshillit Politik, duke shmangur kështu Komisionin Parlamentar nga marrëveshja për reformën zgjedhore./tch

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart