Hulumtimi zbulon detaje mbi kontratën e dhënë për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore dhe kriteret e përdorura në procesin e dhenies së kontratës.
Më 16.05.2025, emisioni “Kallxo Përnime” publikoi një hulumtim që zbardhi pronësinë e bizneseve të cilat fituan një kontratë për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Kontrata për fabrikën në Drenas u dha më 10.01.2025 dhe u nënshkrua nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Hulumtimi tregonte që vëllai i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, kishte punuar te një biznes i familjes Maloku, njerëzit e së cilës fituan kontratën nga Ministria.
Në vazhdimin e dytë të hulumtimit, pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ofroi qasje në dosjen e kontratës, “Kallxo Përnime” sjell detaje mbi kontratën.
Ministri Peci më 14.06.2024 kishte marrë një vendim për themelimin e komisionit vlerësues për funksionalizimin e fabrikës.
Komisioni përbëhej nga pesë anëtarë: Saranda Ahmetaj-Draga, Shkelzen Morina, Nazmi Maxherra, Bedri Dobra dhe Kujtim Aliu.
Në faqen e tretë të këtij vendimi, në pikën e gjashtë, parashihej subvencionimi për operatorin ekonomik që do ta fitonte kontratën.
Rreth një muaj më vonë, saktësisht me datë 19.07.2024, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë publikoi thirrjen e parë publike për kompanitë të cilat do të aplikojnë për të marrë me qira objektin e fabrikës dhe funksionalizimin e saj.
Thirrja i kishte katër faqe dhe në të nuk përmendej fare fakti që për kompaninë që do ta fitonte kontratën do të kishte subvencion nga shteti.
Thirrja publike ishte publikuar edhe më 18.09.2024.
Siç ka zbuluar “Kallxo Përnime”, publikimi ishte bërë vetëm në uebfaqe të AUV dhe në asnjë platformë tjetër. Ani pse, kriteret në thirrje dihej që nuk do t’i plotësonte asnjë kompani në Kosovë.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kishte deklaruar se qëllimi ka qenë të ftohen investitorë dhe kompani nga jashtë Kosovës dhe me eksperiencë.
Hulumtimi zbardh se kontrata 20-vjeçare nuk i është dhënë një konsorciumi të kompanive, por një kompanie kosovare e cila u regjistrua pesë ditë pasi u publikua thirrja e parë, më 23.09.2024.
“LIP KS & IT” Sh.P.K. edhe pse kompania është regjistruar në shtator të vitit 2024 dhe nuk ka bërë qarkullime financiare në të kaluarën, komisioni i vlerësimit kishte thënë se kompania i plotëson dy kriteret kryesore të thirrjes: qarkullimin prej 13-15 milionë euro dhe përvojën 12-15 vjeçare në përpunimin e produkteve nënshtazore.
E si dëshmi që janë plotësuar këto kritere janë marrë dokumentet e një biznesi tjetër që nuk ka aplikuar në këtë thirrje, pra biznesit nga Italia “LIPITALIA 2000”. Ky biznes është aksionar i 40% të aksioneve në biznesin kosovar “LIP KS & IT” SH.P.K.
Kompania që ka ofertuar në thirrjen e AUV është kompania e regjistruar në Kosovë – “LIP KS & IT” SH.P.K.
Ky biznes është i regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara bazuar në Ligjin për Shoqëritë Tregtare.
Sipas këtij Ligji, neni 75, thuhet se “Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar” është person juridik, e cila është juridikisht e ndarë nga aksionarët. Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar është vetvetiu bartëse e të drejtave dhe obligimeve”.
Për më tepër, aksionarët nuk janë përgjegjës për borxhet dhe obligimet e biznesit të themeluar si SH.P.K.
Neni 76 i këtij Ligji thot: “Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar është përgjegjëse për të gjitha borxhet e saj dhe detyrimet tjera me të gjitha asetet e saj”. Ndërsa pika e dytë e këtij neni thot që një aksionar i shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar nuk është përgjegjës për borxhet ose detyrimet e shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar vetëm për arsye se është aksionar.
Baza ligjore
Në dosjen e fabrikës, të cilën AUV e ka ndarë me ekipin hulumtues pas kërkesës për qasje në dokumente publike, është një opinion ligjor rreth bazës ligjore mbi të cilën është bërë dhënia me qira e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Në analizën e ekspertit Feim Alaj thuhet se tenderimi mund të kryhet përmes Ligjit të Prokurimit.
AUV, në thirrjen që e ka shpallur, e ka përdorur një formular standard të Komisionit Rregullativ të Prokurimit që përdoret për hapjen e tenderëve, por në të janë bërë disa ndryshime: Është hequr numri i prokurimit, pra thirrja e AUV nuk ka fare numër të prokurimit dhe e njëjta nuk është publikuar në faqen e Prokurimit Elektronik; Është hequr pika V.1 e njoftimit, në të cilën palët udhëzohen që të ankimohen tek Autoriteti Kontraktues e më pas edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Në thirrjen e AUV nuk është lejuar fare ankimimi, një e drejtë bazike në secilën procedurë.
Plani i biznesit
Plani i biznesit i ka vetëm 14 faqe dhe në të përshkruhen detajet edhe të kompanive që do e marrin tenderin. Por, në plan të biznesit nuk përmendet fare përvoja e kompanisë e cila e ka pronar shtetasin serb, Muamer Ragipoviq, kompania e të cilit ishte aksionar deri më 20.02.2024 në “LIP KS & IT”.
Gjatë leximit të planit të biznesit kuptohet se kompania e cila ka ofertuar ka planifikuar të punojë me humbje dhe në plan vërehet qartë që është planifikuar subvencionimi nga Qeveria.
Në planin e biznesit të dorëzuar nga kompania “LIP KS & IT” pretendohet se maksimumi i mbetjeve që do të trajtohen do të jetë 5 mijë tonë, pra 5 milionë kilogramë mbetje.
E për t’i trajtuar këto, kompania pretendon se do të kenë shpenzime vjetore prej 1 milion e 157 mijë euro.
Kompania pretendon se nga shitja e materialit të fituar pas trajtimit të nënprodukteve do të gjenerohen të hyra në vlerë prej 430 mijë euro.
Kur e llogarisim, kompania pretendon se do të ketë një humbje prej 737 mijë eurove.
Marrë parasysh obligimin e marrë nga Qeveria që ta subvencionojë këtë fabrikë me 0.16 euro për secilin kilogram të trajtuar, i bie që për 5 milionë kilogramë ata do të marrin 800 mijë euro në vit. Pra, nëse realizohet plani i biznesit siç është planifikuar, kompania do të ketë një fitim prej 63 mijë euro në vit. Megjithatë, në këtë plan të biznesit nuk janë shpjeguar të hyrat që mund të vijnë nga trajtimi i mbetjeve të importuara nga vendet e tjera të rajonit.
Në dokumentin e AUV thuhet se bazuar në Studimin e Fizibilitetit, llogaritet se materiale të kategorisë 4 janë përafërsisht 9,405 tonë në vit ndërsa në planin e biznesit të kompanisë janë planifikuar më së shumti nga 5 mijë tonë.
Në raportin e komisionit vlerësues, që është përbërë nga Saranda Ahmetaj-Draga, Shkelzen Morina, Nazmi Maxherra, Bedri Dobra dhe Kujtim Aliu, thuhet se “Me datë 10.10.2024 nga ora 10:00 jemi takuar si komision, ku kemi bërë hapjen e dosjes së ofertuesit të Operatorit Ekonomik “LIP KS & IT” SHPK dhe komisioni ka bërë evaluimin e dokumentacionit ku ka vlerësuar që OE është i përshtatshëm bazuar kërkesave të termave të referencës për vazhdimin e negocimit për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore”.
Negociatorët e kontratës nuk dokumentohen në dosje.
Ne e kemi pyetur Ministrinë e Bujqësisë se kush e ka negociuar kontratën me operatorin ekonomik.
“Kontrata ka qenë e negociuar nga palë të interesit ku janë dhënë komente nga të gjithë akterët: AUV, MPBZHR, Ministria e Drejtësisë, Kryeministria dhe materiali komplet i kësaj çështje duke përfshirë edhe draft-kontratën është dërguar në Kryeministri-Qeveri” – thuhet në një përgjigje me shkrim nga AUV.
Sipas detajeve në planin e biznesit të “LIP KS & IT”, në fabrikën për përpunimin e nënprodukteve shtazore do të jenë të punësuar 30 punonjës.
Nga 30 anëtarët e stafit që janë planifikuar të punojnë në këtë kompani janë: 8 punonjës janë planifikuar të jenë vozitës, 5 të jenë punëtorë të shërbimit, 2 mekanikë, nga një punonjës si elektricist, zyrtar financiar, administratë, arkatar, përgjegjës terreni, pioner, veterinar, laborant, inxhinier i përgjithshëm. Ndërsa, 4 punonjës janë menduar si rojtarë, raporton Kallxo.