Prapaskenat e reformës zgjedhore, refuzimi i paktit nga PS dhe ndërhyrja e SHBA - Gazeta Express
string(78) "prapaskenat-e-reformes-zgjedhore-refuzimi-i-paktit-nga-ps-dhe-nderhyrja-e-shba"

Prapaskenat e reformës zgjedhore, refuzimi i paktit nga PS dhe ndërhyrja e SHBA

Gazeta Express

01/06/2020 10:47

Këshilli politik i Reformës Zgjedhore, me përfaqësues nga të gjitha palët politike, dështoi që të përfundonte brenda afatit, të cilin vetë e kishin caktuar, draftin konsensual të Reformës Zgjedhore.

Identifikimi biometrik, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe Kolegji Zgjedhor ishin tri pikat e nxehta, ku palët nuk arrinin që të gjenin një formulë të mirëpranuar nga të gjithë.

Lexo Edhe:

IDENTIFIKIMI BIOMETRIK

Në tri ditët e fundit, palët nuk ranë dakord që të gjenin një dakordësi sa i përket implementimit të identifikimit biometrik në të gjithë vendin. Kjo ishte një pikë e panegociueshme nga ana e opozitës së bashkuar. Ndërsa nga ana tjetër, përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri, mbështetur në opinionin e OSBE/ODIHR, këmbënguli që teknologjia si fillim të pilotohej pasi mund të cenonte zgjedhjet. Ky debat zgjati për tri ditë, deri edhe mbrëmjen e djeshme.

KOMISIONERËT

Edhe depolitizimi i administratës zgjedhore ka qenë pikë e nxehtë e këshillit politik. Maxhoranca shtoi në tryezën e diskutimeve depolitizimin 100% të administratës zgjedhore, ku punonjësit e administratës së shtetit të zgjidheshin komisionerë. Por, për opozitën, ky propozim ishte i papranueshëm, duke i cilësuar komisionerët jopartiakë si persona të maskuar të PSsë. Më herët, përfaqësuesit e opozitës janë shprehur se administrata shtetërore është e emëruar politikisht dhe ata pak që nuk janë emëruar politikisht, janë lehtësisht të shantazhueshëm me vendin e punës. Po ashtu, maxhoranca nuk pranoi edhe propozimin e ri të opozitës për Kolegjin Zgjedhor, që këtë rol ta marrë Gjykata Kushtetuese, siç ka funksionuar deri më 2001.

NDËRMJETËSIMI I SHBA

Teksa afati i caktuar nga vetë partitë për të përfunduar Reforma Zgjedhore po skadonte dhe palët dukeshin shumë larg konsensusit, ambasada e SHBA-ve, e cila ka qenë shumë aktive për përmbylljen e reformës, u investua edhe mbrëmjen e së dielës për të bashkuar palët. Një përfaqësues i selisë diplomatike të SHBA mbërriti dje në mbledhjen e këshillit politik dhe u takua fillimisht tek e tek me përfaqësuesit politikë.

Në fillim me z. Gjiknuri, më pas me dy përfaqësuesit e opozitës së bashkuar, z.Bylykbashi e Vasili e më pas me znj. Hajdari. Pas takimit tek e tek, negociatori i ambasadës së SHBA zhvilloi një takim të përbashkët me përfaqësuesit politikë. Pas takimeve mësohet se maxhoranca ka dakordësuar implementimin në 100% të Shqipërisë me identifikimin biometrik. Ndërkohë, për administratën zgjedhore, është diskutuar një formulë mikse, e cila i përafrohej më shumë propozimit të maxhorancës. Kjo ishte edhe pika ku u bllokuan bisedimet. Mësohet se Partia Socialiste nuk pranoi variantin e kompromisit të ofruar në tryezë për të depolitizuar administratën zgjedhore, duke mos u tërhequr nga varianti i saj i parë. Mosdakordësia për një variant të gjithëpranuar, që nuk cenon thelbin e depolitizimit të komisioneve, çoi në ndërhyrjen e ambasadës së SHBA, por, megjithatë, mbrëmjen e djeshme nuk u arrit një konsensus. Tashmë nuk dihet nëse këshilli politik do të funksionojë më tej apo jo.

Përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi, u shpreh mbrëmjen e së dielës se janë të gatshëm të vijojnë përpjekjen për të mbyllur Reformën Xgjedhore përtej 31 majit. Por pak minuta më vonë, përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri, u shpreh se nga sot do të nisë procesin për informimin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ndërkohë, riktheu idenë e përmendur pak javë më parë se nuk mund të presë pa fund dhe se Parlamenti i ka votat për të miratuar reformën.

Sakaq, Parlamenti nuk mund të miratojë një ligj të ri zgjedhor, të paktën deri më 23 qershor, kur përfundon edhe situata e jashtëzakonshme.

ÇËSHTJET PA DAKORDËSI
Identifikimi biometrik
Depolitizimi i administratës zgjedhore
Kolegji Zgjedhor
Qeveria tranzitore
Sistemi zgjedhor
ÇËSHTJET E DAKORDËSUARA
Roli i SPAK në hetimin e krimit zgjedhor
Përdorimi i kamerave në qendrat e votimit
Hapja e kutive me kërkesë të çdo partie
Imuniteti penal i denoncuesve të krimeve zgjedhore
Roli i Policisë së Shtetit (pjesërisht)
Eliminimi i personave jashtë qendrave të votimit
Financimi i partive

gjiknuri

GJIKNURI: I KEMI VOTAT, OPOZITA DOLI NGA KËRKESAT

Bashkëkryetari i Komisionit për Tryezën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka thënë se tryeza e Këshillit Politik kishte një paketë gati të përfunduar, por opozita doli nga kërkesat që në fillim i quan parakushte. “Kemi trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, palët që kanë pasur shqiptarët dhe është munduar të adresojë propozimet e opozitës. Kemi një paketë gati të përfunduar. Ne kemi gjetur hapësirën dhe do t’i përfshijmë ato.

Por nuk mundet që, pasi biem dakord edhe për kërkesat parakusht për zgjedhjet, të fillohet dhe të çedohet duke dalë nga kërkesat. Ne nuk e humbim qetësinë. Nesër do informoj Kuvendin ku do paraqes paketën e dytë, dyert dhe dritaret janë të hapura për të përmbyllur ato pak gjëra që kërkojnë. Kemi adresuar edhe kërkesat më serioze që opozita i kishte parakushte. Edhe ato që para 2 ditësh i quanin parakushte, ne i kemi adresuar. Skema e administratës zgjedhore do jetë e rregullt, komisionerët do të rekrutohen, jemi të hapur për çdo lloj takimi.

Opozita jashtëparlamentare është në të mirën e saj të na bashkëngjitet. Megjithatë e kam thënë, Kuvendi i ka votat. Shqetësimet i kemi reflektuar, se opozita ka një problem me vetingun, atë e njeh Kushtetuta, nuk e njeh opozita. Pyetini ata, ua kanë pranuar identifikimin biometrik. Kodi Zgjedhor do përmbyllet brenda këtij sesioni parlamentar, sepse Shqipëria ka nevojë për një Kod të ri para zgjedhjeve”, tha Gjiknuri.

bylykbashi

BYLYKBASHI: PS NUK ISHTE GATI PËR KONSENSUSIN

I mandatuari i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bykykbashi, tha pas takimit se PS-ja nuk ishte gati për konsensusin. “Ofruam konsensus për çështjet e rëndësishme. PS-ja nuk ishte gati. Opozita nuk heq dorë nga garancitë për votën e qytetarëve shqiptarë dhe për një proces zgjedhor që krijon legjitimitet për të gjithë aktorët.

Do të vijojmë punën për konsensusin dhe presim që PS-ja të jetë gati të mos mbajë privilegjet dhe të kapë komisionet apo KQZ-në. Boshllëqet që ata duan të lënë janë të mëdha. Falënderoj kontributin e partnerëve ndërkombëtarë në përpjekjet për të gjetur kompromis, kemi bërë koncesionet tona, por PS-ja nuk hiqte dorë nga privilegjet e qeverisë mbi procesin zgjedhor, pikërisht e keni parë edhe vjet. Le t’i lëmë PS-së kohë të kuptojë se KQZ-ja nuk do jetë ai institucion që është pronë e saj.

Jemi para një modeli të ri, por nuk mund të jetë pronë e PS-së. Le të kuptojë që procesi i administratës, ngritja e një administrate që garanton depolitizmin nuk mund të jetë false, me komisionerë të PS-së të maskuar si të pavarur. Janë të ndërlidhura çështjet, biometrika e lidhur me administratën, por edhe thelbësisht që KQZ-ja s’mund të jetë pronë. Nëse këto shtylla do të zgjidhen, kompromisi do arrihet shumë shpejt”, tha Bylykbashi./panorama