Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në prova materiale janë pranuar disa dokumente që janë përdorur gjatë marrjes së dëshmisë së ekspertit mjeko-ligjor, John Clarke.
Ky dëshmitar kishte dëshmuar në këtë rast gjatë seancave të 22 janarit 2025 dhe 23 janarit 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Me vendimin e 16 dhjetorit 2024, Clarke i cili është patolog i mjekësisë ligjore është kualifikuar që të dëshmojë si ekspert në këtë çështje. Mirëpo, vendimi për pranimin e dokumenteve në prova, që ai i kishte nxjerrë përfundim, u shty deri pasi ai të japë dëshmi në sallën e gjyqit.
Prokuroria thotë se provat e propozuara që kanë lidhje me këtë dëshmitar janë raporte të ekspertëve, materiale burimore dhe prova tjera të ndërlidhura.
Kurse, mbrojtja kishte thënë se Prokuroria nuk ka treguar qartë se cilat prej provave të ofruara nga ky dëshmitar synon t’i përdorë për të vërtetuar përmbajtjen e tyre duke e ditur që edhe vetë dëshmitari kishte shprehur dyshime.
Mbrojtja gjithashtu në parashtrimet e saj ka thënë se raportet e autopsisë të ofruara janë raporte të ekspertëve të palës së tretë dhe të papranueshme sipas Rregullës 149.
Po ashtu, ata pretendojnë që prova që nuk kanë lidhje me këtë dëshmitar, përkatësisht ato që nuk iu treguan dhe Clarke nuk ka dhënë koment gjatë ekzaminimeve të tij, nuk mund të ofrohen për pranim në prova.
Veç kësaj, mbrojtja thotë se dy artikuj nga këto dokumente janë deklarata dëshmitarësh dhe nuk janë të pranueshme përmes këtij dëshmitari.
Në prova materiale, mbrojtja e Kadri Veselit kishte paraqitur tri faqe që të pranohen në provat e ZPS-së, e po ashtu edhe ajo e Krasniqit kishte propozuar dy materiale për pranim në prova.
Në vendimin e tij, trupi gjykues ka thënë se disa nga provat e propozuara nuk kanë përkthimin përkatës, për çka është urdhëruar Prokuroria që ta sigurojë pa vonesa.
Në anën tjetër, trupi gjykues ka thënë se raporti i ekspertit ka të bëjë më shumë me çështje të përgjithshme rreth mjekësisë ligjore dhe përmban informacion për rrethanat e vdekjes së viktimave të pretenduara që përmenden edhe në aktakuzë. Veç kësaj, ata thonë se në parim ky dokument është autentik dhe ka vlerë provuese.
“Trupi gjykues kujton gjetjen e tij se W04874 është ekspert në mjekësi ligjore dhe vlerëson se Raporti i tij i ekspertizës ka të bëjë dhe kufizohet me mjekësinë ligjore. Për më tepër, ndonëse raporti bazohet në informacion të mbledhur nga palë të treta, trupi gjykues vlerëson se W04874 ka njohuri të drejtpërdrejta të mjaftueshme për atë informacion dhe posedon ekspertizën e nevojshme për të dhënë dëshmi për të”, thuhet në vendim.
Ndonëse ky raport kishte marrë numër reference, trupi gjykues urdhëroi që statusi i kësaj prove të ndryshohet si provë. Edhe shënimet që i ka bërë dëshmitari gjatë dëshmisë së tij mbi një dokument, janë kërkuar që të pranohen në prova.
Sipas Prokurorisë, këto shënim kanë të bëjnë me një viktimë të përmendur në aktakuzë, për çka trupi gjykues ka konsideruar se janë autentike dhe kanë vlerë provuese.
Ngjashëm edhe këto, sikur raporti i ekspertizës ishin me numër reference e cila u ndryshua në atë si prova të pranuara.
Kurse, materiali burimor sipas vendimit përbëhej nga raporte autopsie nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ai i Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Zyra për Personat e Zhdukur dhe mjekësinë ligjore të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Zyra për Ekzaminime dhe Identifikime e Serbisë dhe Malit të Zi, si dhe Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovë.
Po ashtu, këto materiale burimore përmbanin një certifikatë vdekjeje dhe një raport mjekësor të lëshuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Kishte edhe fotografi, raporte hetimore të EULEX-it, një gjyqtari hetues në Gjykatën e Qarkut në Prizren dhe nga Policia serbe.
“Lidhur me raportet e autopsisë që nuk janë kryer nga W04874, trupi gjykues kujton gjetjet e tij lidhur me informacionin bazë të përgatitur nga palë të treta. Trupi gjykues nuk konsideron se këto raporte janë vetë “raporte të dëshmitarëve ekspertë” në kuptimin e Rregullës 149. Po ashtu, trupi gjykues nuk i konsideron autorët e tyre si “ekspertë të palëve të treta”, siç pretendon mbrojtja. Përkundrazi, këto raporte janë material burimor që W04874, një patolog mjeko-ligjor që kualifikohet si ekspert në kuptimin e Rregullës 149, kishte të drejtë t’i konsultonte dhe vlerësonte gjatë përgatitjes së raportit të tij të ekspertizës. Pesha dhe vlera provuese e materialit bazë do të vlerësohet në këtë dritë”, thuhet në vendim.
Po ashtu, thuhet se trupi gjykues se do ta shqyrtojë peshën e provës së këtyre dokumenteve dhe hedh poshtë argumentin e mbrojtjes që dokumentet që burojnë nga autoritetet serb bartin në mënyrë të natyrshëm paragjykime ose pasaktësi.
Paneli e ka aprovuar edhe kërkesën e mbrojtjes së Krasniqit dhe Veselit për pranim në prova materiale dokumente të propozuara nga ata.
“E PRANON pjesërisht Kërkesën; PRANON si prova artikujt e mëposhtëm dhe çdo përkthim të tyre, përfshirë përkthimet sipas paragrafit 43(i) më poshtë: (i) P01991 MFI; (ii) P01989 MFI; (iii) P01990 MFI; (iv) P01992 MFI;(v) P01993 MFI; (vi) SITF00414169-SITF00414223-ET; (vii) SPOE00113615-00113639; (viii) SPOE00111910-SPOE00111913; (ix) IT-04-84bis P00484.E; (x) U002-6536-U002-6539; (xi) IT-04-84bis P00488; (xii) SPOE00068507-00068514 RED; (xiii) SITF00200337-SITF00200340-ET; (xiv) 0189-0855-0189-0857-ET Revised; (xv) 0189-0858-0189-0874-ET Revised; (xvi) 2D00041 MFI; (xvii) 4D00103 MFI; dhe (xviii) 4D00104 MFI; c) E REFUZON pranimin e artikujve të mëposhtëm: (i) SITF00405633-SITF00405638-ET; dhe (ii) SPOE00111801-00111808”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
aaaaa