Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me diskutimet për buxhetin për vitin 2025, duke e cilësuar si buxhet për projekte korrupsioni. Bardhi thotë se qeveria vazhdon dhe paguan inceneratorë që nuk ekzistojnë apo për kontrata korruptive në Shëndetësi, ndonëse qytetarët përballen me mungesën e ilaçeve.
“Shqiptarët vijojnë të: Paguajnë para nga Buxheti për inceneratorët, por ato kanë “ikur në drejtim të paditur”, incenerator që ose nuk punojnë ose nuk ekzistojnë.Paguajnë para nga Buxheti për kontratat korruptive të shëndetësisë, por qytetarët nuk kanë ilaçe e shërbim në spitale.
Paguajnë para nga Buxheti për dyfishin e kostos për investime në rrugë që nuk përfundojnë kurrë, ndërkohë nuk kemi fonde për të mbështetur sektorin e bujqësisë apo për të kryer investime që ndihmojnë bujqësinë.
Korrupsioni në qeverisjen qendrore dhe vendore është arsyeja e vetme pse qytetarët nuk marrin shërbime, pse nuk ka rritje të pensioneve apo fonde për të mbështetur familjet në nevojë, pse nuk ka mbështetje reale për fermerët dhe bujqësinë. 12 vjet të humbura me premtime boshe janë shumë kohë e humbur për Shqipërinë dhe shqiptarët”- shkruan Bardhi.