Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se Gjykata Supreme ka konfirmuar se Albin Kurti dhe ministrat kanë shkelur ligjin.
Kjo pasi ata kanë mbajtur pozita ekzekutive, njëkohësisht edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë Kica-Xheili.
“Gjykata Supreme e Kosovës sapo e konfirmoi qartë me vendimin P.A.nr.09/2025, të datës 25.06.2025: Albin Kurti dhe ministrat e tij kanë shkelur ligjin! Ka 4 muaj tashmë që ne kemi reaguar publikisht se askush që është certifikuar si deputet nuk ka të drejtë të sillet ende si ministër apo kryeministër dhe të marrë vendime të reja ekzekutive. Tani kjo është fakt i konfirmuar nga gjykata e rregullt më e lartë në vend, e cila ka trajtuar rastin e ish-ministrit Murati që nuk është rast i izoluar i kësaj sjelljeje të kundërligjshme, dhe vlen për gjithë ish-kabinetin Kurti”.
“Pas 27 marsit 2025, çdo vendim, çdo nënshkrim dhe çdo veprim i ri që ka ndërmarrë qeveria Kurti është i paligjshëm. Kjo është prova që ata e kanë trajtuar shtetin si pronë private. Ne kemi dorëzuar 17 kallëzime penale pikërisht për këto shkelje. Tashmë Prokuroria Speciale nuk ka më asnjë arsye të pres e as zvarris: ka në dorë precedentin gjyqësor më aktual që gjithë ish-kabineti i Kurtit, bashkë me të, të hetohet dhe ndiqet penalisht për keqpërdorim të detyrës dhe tejkalim të kompetencave pas datës 27 mars 2025”, ka thënë ajo. /Gazeta Express