Post-Covid 19, një krizë po shkon – a po vjen tjetra ?! - Gazeta Express
string(49) "post-covid-19-nje-krize-po-shkon-a-po-vjen-tjetra"

Gazeta Express

16/05/2020 14:01

Post-Covid 19, një krizë po shkon – a po vjen tjetra ?!

Gazeta Express

16/05/2020 14:01

Shkruan: Arbër HALILAJ

Gjendja e shkaktuar nga pandemia ka prekur ndjeshëm dhe fort ekonominë kosovare, sidomos sektorin privat! Ndërprerja totale ose e pjesshme e projekteve në vijimësi, mbyllja apo ndërprerja e punës së bizneseve private (me përjashtim të marketeve, furrave, prodhimit etj.), mungesa e fuqisë punëtore (kufizimet e lëvizjeve dhe grupimeve të njerëzve, nga shkaku i frikës nga infektimi), kufizimet në eksport-import që kanë zbatuar shumë shtete e poashtu edhe mbyllja e kufijve, kanë ndikuar në rënien e kërkesës dhe ofertës. Në anën tjetër, dëmet janë evidente tek ulja e të hyrave mujore nga pamundësia e pagesës së obligimeve nga ana e klientelës, frika dhe pasiguria e kohëzgjatjes së pandemisë e ka ulur konsumin për produkte joesenciale dhe të luksit, e kjo pastaj ndikon në rënien e prodhimit dhe ky zinxhir i rënies vazhdon.

Lexo Edhe:

Poashtu, nga gjendja e shkaktuar për shkak të Covid-19 si dhe masave kufizuese që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, shohim humbje të çdoditshme në gastronomi, shërbime, sektorin e shitjes së tekstilit e veshmbathjeve, turizëm e rekreacion, ndërtimtari e sfera tjera, të cilat  praktikisht qe 2 muaj nuk gjenerojnë të hyra, ndërsa kanë shpenzime të ndryshme operacionale. Janë ndërprerë projektet dhe kontratat e lidhura paraprakisht, që do të shkaktojë vonesa të dinamikës së punimeve, ndëshkime të ndërlidhura me këtë çështje,  e po ashtu ka rënie të investimeve në projekte afariste e zhvillimore. Këtu hyjnë edhe shpenzimet shtesë për sigurimin fizik të bizneseve dhe poashtu për pajisjet e veprimet në zbatim të masave të mbrojtjes shëndetësore e higjienike kundër Covid-19.  

Nëse qeveria nuk injekton shpejt fonde për të mbajtur bizneset në funksionim, punëtorët në listat e pagave dhe të hyrat në nivele që garantojnë likuiditet financiar të kompanive, dëmi do të jetë shumë i madh dhe rimëkëmbja do të kërkojë afat të gjatë.

Qëllimi primar duhet të jetë të ndihmohen kompanitë që kanë staf me vende pune më të rrezikuara, e që duke ruajtur vendet e punës ose eventualisht duke shtuar ndonjë vend pune në përshtatje të strukturës së kompanive, bashkë me ndihmat financiare nga pakoja ekonomike, do të ruhej shtylla kurrizore e ekonomisë sonë – sektori privat. Kompanitë tashmë janë shumë të ngarkuara me obligime të ndryshme, kështu që nëse shteti merr një pjesë të riskut, kjo do të thotë që sipërmarrësi e ka më të vogël apo më të lehtësuar rrezikun nga mbyllja e veprimtarisë, të cilin rrezik do ta luftojë dhe ta shmang me likuiditet financiar.

Qeveria jonë deri tani ka pasur hapësirë të kufizuar ​​financiare ose kapacitet operacional më të limituar për të ndjekur vendet e zhvilluara në përballje me ndikimin e madh të kufizimeve në biznes dhe në jetën e përditshme, shto kësaj lëmshin politik mu në kohën kur nevojitet një koordinim dhe platformë e përbashkët për dalje nga kriza. Ne duhet kërkuar nga ekonomitë e zhvilluara që të zgjerojnë ndihmën solidare të financimit ndaj Kosovës, për të mundësuar lehtësimin e infuzionit financiar dhe për të krijuar urgjentisht një fond solidariteti, ku ekonomitë e fuqishme do të ndihmonin edhe vendet jashtë BE-së, siç është Kosova dhe sektorin e saj privat. Sektori privat mund të luaj një rol të rëndësishëm në reagimin ndaj krizës, drejtpërdrejt dhe përmes realizimit të partneriteteve publike-private.

Kësisoji, masa konkrete në ndihmë bizneseve për përballimin e krizës dhe fillimin e rimëkëmbjes, do të ishin:

  • Në bashkëpunim me kompanite dhe konsulentët profesional, të identifikohen problemet më emergjente dhe specifike të kompanive, në mënyrë që ato të mbrohen nga falimentimi gjatë kohëzgjatjes së krizës.
  • të bëhet analizë e mirëfilltë nga ekspertë të fushave përkatëse e secilit sektor të ekonomisë dhe dëmeve që ka pësuar nga pandemia, ngase vendimet që merren tani nga Qeveria do të ndikojnë në pozicionin dhe performancën e bizneseve jo vetëm tani, por edhe në të ardhmën.
  • të krijohet sektor i veçantë brenda Ministrisë së Financave që do të merrej vetëm me aktivitetet dhe masat post-Covid 19 dhe ato të jenë konform gjetjeve dhe rezultateve të analizës së lartcekur, përkatësisht masa të ndryshme të adaptuara për sektor të ndryshëm të biznesit,
  • riprogramimi i kredive në banka të vazhdohet edhe për disa muaj të ardhshëm, me shtyrjen komplete të pagesave të kësteve (qeveria të shqyrtojë mbulimin e interesit për këtë periudhë),
  • vazhdimi i mbështetjes me subvencionim të pagave edhe për të paktën tre muaj për punëtorët e ndërmarrjeve private të dëmtuara,
  • shteti të zhvillojë një program të garantimit të huasë përmes fondit të garancisë, d.m.th. ndarjen e rrezikut midis bankave dhe kompanive.
  • kredi afatgjata me norma shumë të ulëta të interesit dhe infuzione me kesh apo grante nga qeveria, me prioritet për kompanitë që punësojnë shumë punëtorë dhe nuk kanë zvogëluar numrin e tyre gjatë pandemisë,
  • anulimi i ndëshkimeve kontraktuale në rast të vonesës në zbatimin e marrëveshjeve të partneritetit publiko-privat (kontratave publike) për shkak të ndikimit të pandemisë,
  • Pagesa e tatimeve dhe kontributeve pensionale të shtyhet edhe për tre muaj të tjerë, ndërsa pagesa e mëvonshme e tatimeve dhe kontributeve të mund të bëhet me këste, për bizneset që ende kanë vështirësi financiare,
  • Me ndihmën edhe të BQK, të lansohet një instrument i ri financiar bankar “Kredi COVID-19” për kapitalin punues dhe mirëmbajtjen e likuiditetit (për nevojat aktuale të kompanive, siç janë: pagesa e pagave, pagesa e shpenzimeve të përgjithshme dhe kostove tjera operative) në vlerën maksimale prej 1 mil.EURO për kompani, me një periudhë shlyerjeje deri në pesë vjet, pa interes ose me një normë më të ulët interesi të mbuluar nga Qeveria, me një procedurë bankare të thjeshtësuar të miratimit të kredisë, pa tarifë administrative, për të gjitha kompanitë ose korporatat që mbajnë punëtorët në punë dhe vazhdojnë projektet dhe punimet e pezulluara ose fillojnë projekte të reja,
  • Të diskutohet me BQK dhe bankat komerciale shfrytëzimi i fondeve nga depozitat e paplasuara në treg, që përbëjnë një kapital mbi 1 miliardësh, përmes garancive shtetërore për bankat.
  • pagesa avanse për ofruesit e shërbimeve dhe kontraktuesit për projektet kapitale të filluara, me sigurimin e një garancie bankare në vlerën e paradhënies, me qëllim të sigurimit të likuiditetit të tyre dhe ruajtjes së vazhdimësisë së punës.
  • projektet kapitale të filluara të mos pezullohen, sepse realizimi i tyre është me rëndësi thelbësore për zhvillimin dhe rimëkëmbjen më të shpejtë të ekonomisë dhe standardit të qytetarëve pas pandemisë.
  • ulja e tarifave për leje të ndryshme të operimit, ndërtimit, certifikime, licensime etj. për kompanitë që planifikojnë të realizojnë projekte të ndryshme biznesore, me qëllim të zgjerimit të aktivitetit dhe mbajtjes në punë të numrit më të madh të punëtorëve apo kompanitë që nuk kanë pasë reduktim më të madh se 5% të stafit pas pandemisë,
  • Administrata Tatimore pas shtyerjes së pagesës së tatimit të detyrueshëm, të mos aplikojë procedurën e mbledhjes së detyruar dhe as të mos llogarisë interesin për periudhën e caktuar, duke mundësuar pagesat apo mbledhjen e tatimit në 6 këste identike! Njësoj, të mundësohet edhe pagesa e shtyer e tatimit në pagat dhe kontributet për sektorin privat për një periudhë vijuese 3 muajshe, dhe me mundësimin e shlyerjen së mëvonshme të detyrimeve në këste, duke filluar pagesat nga fillimi i v. 2021.
  • të sigurohen fonde të caktuara në mënyrë që ato të riorientohen në rezervën e buxhetit aktual dhe të mund të përdoren me qëllim të zbutjes së pasojave të pandemisë.

Para nje viti, Shpreson K. mori një kredi të madhe bankare prej 300.000 EURO me të cilën bleu një lokal 60m2 në rrugën X të Prishtinës, që po fillonte të gjallërohej shumë nga bizneset e vogla dhe qarkullimi i njerëzve. Me pjesën e mbetur e rregulloi bukur enterierin dhe dukej se puna filloi t’i ecte mbarë në kafiterinë e sapohapur. Ai llogariste që me qarkullimin që kishte, do të paguante të gjitha obligimet tatimore, këstin e kredisë prej 3500 EURO, pagat e 8 punëtorëve të tij dhe në fund t’i mbetej një pagë solide për angazhimin e vet si pronar, pasdite pas punës së lodhshme të menaxherit në një depo të materialit ndërtimor. Pas nja 2 muaj pune, kishte një klientelë për lakmi dhe ishte i kënaqur me rrjedhën e punës në këtë biznes. Viti i Ri po vinte dhe puna veçse po rritej, si edhe në bizneset tjera të gastronomisë dhe kafiteritë në rrugën X. Dëgjonte lajme për njëfarë virusi që kishte filuar në Kinë, por shpejt e ndërronte kanalin në diçka më argëtuese, sepse larg ishte Kina e qyteti Wuhan. Ngjarjet rrodhën shpejt dhe më 13 Mars, virusi ishte në Kosovë tanimë. Ankthi e stresi filloi të rritej, edhe pse Prishtina ende nuk ishte prekur. Kina aq e largët ishte afruar saora, sepse globalizimi dhe komunikimi e bën të veten. Diçka e panjohur dhe e paparë më herët po afrohej te dera, ishte në prag pandemia më e çuditshme e shekullit. Gastronomia, kafiteritë, depotë, shkollat, çerdhet, stadiumet, gjithçka u mbyll shpejt e shpejt në Kosovë!

…………………….(vetëm pas dy jave)……………………

Nga një djalë i suksesshëm në punë e biznes, Shpresoni u bë një nga mijëra e mijëra të karantinuarit, që ditët i shtynin brenda banesës e duke dëgjuar lajme në TV. Po flitej për pandemi më të gjatë, për pasoja të mëdha ekonomike. Shpresoni jo vetëm që nuk kishte  pagë e të hyra nga lokali, por me stres priste thirrjen nga banka për këstin që e kishte me çdo të 20-tin e muajit. Ishte shndërruar nga biznesmen, në rast social në nevojë për ndihma, sepse për kohën e shkurtër të funksionimit, vetëm kishte paguar borxhet e obligimet, pa mundur të fillojë të kursejë ndonjë shumë parashë!

Kjo storie e imagjinuar e Shpresonit, që qëllimisht i kam vënë emër pozitivist, paraqet planet dhe pritshmëritë e thyera të shumë njerëzve të biznesit sot, që shpresojnë në ndihmën e Qeverisë për të dalur nga gremina ekonomike në të cilën i ka hudhë një virus i padukshëm!

Është koha që Qeveria të shpenzojë mençur fonde, duke ndikuar në shtimin e kërkesës për mallra dhe shërbime, duke finansuar modelet e reja të të bërit biznes, investimet infrastrukturore, financimin e ngritjes së kapaciteteve të prodhimit, eksportit, digjitalizimin në sektorët ku kjo është e mundur të aplikohet,  të planifikojë politika fiskale e monetare qoftë edhe me rritjen e raportit në mes GDP dhe borxhit publik, që gjithsesi do të ndodhë. Pas fazës së parë të analizave për të kuptuar thellësinë e ndikimit të krizës në ekonomi në terma të shkurtër e të mesëm, duhet të vazhdohet me fazën e injektimeve financiare për të mbajtur likuiditetin e bizneseve dhe pastaj faza e ristrukturimit, tërheqjes së fondeve investive, rritjes së prodhimit dhe masa tjera fiskale për rimëkëmbje. Kjo krizë është sfidë, por edhe ka dy mundësi: ose fillojmë fazën e rikuperimit dhe zhvillimit të mëvonshëm, ose dështimi në këto masa do të jetë zhytje në krizë shoqërore e ekonomike për tërë dekadën në vijim.

Ruajtja e vlerës së biznesit, analiza e likuiditetit, planifikimi i skenarëve operacional, ruajtja e fuqisë punëtore e profesionale etj. duhet të jenë prioritetet gjatë periudhës së ardhshme të ndihmës qeveritare për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe bizneseve private.

Mendoj se në bashkëveprim dhe komunikim me bizneset e dëmtuara, duhet të kuptohen sa më shumë detaje që është e mundur nga to, ngase në këtë periudhë pandemie do të ketë shumë kompani që konkurrojnë për të siguruar kapacitetin e funksionimit. Ndërmarrjet duhet të kontrollojnë vazhdimisht mundësitë në të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe të bëjnë vlerësime në kohë reale për kërkesën, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e ekonomisë botërore ka recesion.

Përballë krizave të tilla ekstreme është thelbësore të veprohet me kohë dhe fuqishëm, të investohet dhe shpenzohet qoftë edhe duke rritur në një masë borxhin publik, meqë pas këtyre masave, kthimi në një lloj normaliteti të ri do të ishte më i shpejtë. Në të kundërtën, kolapsi eventual ekonomik tek ne do ta bënte të paefektshëm menaxhimin e suksesshëm shëndetësor të pandemisë. A e kaluam krizën apo tek po hyjmë në atë të vërtetën, do të shohim në vazhdim, por Presidenti i 31-të i SHBA Herbert Hoover, që shërbeu prej 1929-1933 në vitet e Depresionit të Madh, thoshte se “faktori më thelbësor për rimëkëmbjen ekonomike sot është rivendosja e besimit”.