Popullsia e Japonisë u tkurr me shpejtësi rekord në vitin 2024 - Gazeta Express
string(62) "popullsia-e-japonise-u-tkurr-me-shpejtesi-rekord-ne-vitin-2024"

Lajme

Gazeta Express

07/08/2025 10:45

Popullsia e Japonisë u tkurr me shpejtësi rekord në vitin 2024

Lajme

Gazeta Express

07/08/2025 10:45

Popullsia e Japonisë u tkurr me një ritëm rekord, me më shumë se 900,000 njerëz, në vitin 2024, treguan të dhënat zyrtare të publikuara të martën, pavarësisht iniciativave qeveritare për të rritur shkallën e lindjeve. Vitin e kaluar, numri i japonezëve ra me 908,574, ose 0.75%, në 120.65 milionë.

Disa muaj më parë, kryeministri Shigeru Ishiba e quajti çështjen demografike një “emergjencë të heshtur” dhe u zotua të zbatojë masa miqësore për familjen, duke përfshirë orare pune më fleksibile dhe kujdes falas për fëmijët, për të përmbysur trendin.

Rënia e vitit 2024, e 16-ta radhazi është më e madhja që nga fillimi i të dhënave të detajuara, tha sot Ministria e Brendshme. Në të kundërt, numri i të huajve që banojnë përgjithmonë në vend arriti nivelin më të lartë që nga fillimi i statistikave në vitin 2013, në 3.67 milionë njerëz që nga 1 janari 2025. Ata tani përbëjnë 3% të popullsisë së përgjithshme të Japonisë.

Kjo arrin në 124,330,690 njerëz, ose një rënie prej 0.44% krahasuar me vitin e kaluar. Trajektorja demografike e Japonisë dhe dëshpërimi i një pjese të elektoratit për shkak të inflacionit i kanë dhënë shtysë partisë nacionaliste Sanseito, e cila u themelua pesë vjet më parë dhe fitoi 14 vende në zgjedhjet për të rinovuar një pjesë të përbërjes së dhomës së lartë në korrik, me një slogan qendror “Japonia e Para”.

Arkipelagu ka popullsinë e dytë më të vjetër në botë (mesatarisht 49.9 vjeç), pas vetëm Monakos (56.9), sipas Bankës Botërore. Sipas grupmoshës, qytetarët e moshës 65 vjeç e lart përbëjnë 29.58% të popullsisë, ndërsa ata të moshës 15-64 vjeç përbëjnë 59.04%, të dy grupet panë rritje të vogla krahasuar me vitin 2023.

Sipas të dhënave të veçanta të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në qershor, numri i lindjeve në Japoni vitin e kaluar ra nën 700,000 për herë të parë. Arkipelagu regjistroi saktësisht 686,061 lindje të reja në vitin 2024, ose 41,227 më pak se në vitin 2023. Ky është numri më i ulët i regjistruar që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në vitin 1899.