Një instalacion i bazuar në hulumtim nga Aurela Kadriu dhe Gentiana Pallaska vjen në Galerinë 17, më 9 dhjetor nga ora 18:00.
Në fillim të viteve 1960, arsimi fillor ishte bërë i detyrueshëm në Kosovë si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Megjithatë, ky ndryshim de jure nuk reflektoi ndryshim domethënës në realitetet e jetuara të shumicës së vajzave në moshë shkollore nga familjet kosovare shqiptare. Kryqëzimi i patriarkalizmit, varfërisë dhe shtypjes gjithnjë e më të ashpër ndaj shqiptarëve nga ana e regjimit ua ndërpreu arsimimin.
Ky mohim duhej të mbetej i fshehur, e bashkë me të edhe kujtesa e padrejtësisë u zbeh nga diskursi publik. Përmes dëshmive, MOHUAR sjell rrëfimet e katër grave nga Kosova, të cilave iu mohua e drejta e arsimit midis viteve 1960 dhe 1980. Hedije Shala, Sanije Hoti, Shemsije Havolli dhe Xhezide Bajraktari ndajnë kujtimet e veta dhe kuptimin që ato u kanë dhënë vendimeve — të marra për to, e jo me to — që ndikuan thellësisht në trajektoret e jetës së tyre.
MOHUAR ndërtohet mbi një projekt hulumtues multimedial. Përmes fotografisë, narracionit të folur dhe të shkruar, vjen dimensioni fizik i tregimit multimedial (tekst dhe fotografi), nga bashkëautoret Aurela Kadriu dhe Gentiana Pallaska — tregim i mishëruar dhe i prezantuar në hapësirë, që na mundëson t’i takojmë, vizualisht dhe fizikisht, gratë që e kanë jetuar këtë përvojë.
MOHUAR është punë në zhvillim e autoreve, dhe kjo pjesë e hulumtimit mbështetet nga Pro Peace, organizatë e përkushtuar në diversifikimin e bisedave mbi kujtesën dhe të kaluarën në Ballkanin Perëndimor.
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...