Pompeo përshëndet gatishmërinë e Greqisë për pakte detare me fqinjët - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

28/09/2020 23:13

Pompeo përshëndet gatishmërinë e Greqisë për pakte detare me fqinjët

Lajme

Gazeta Express

28/09/2020 23:13

Shtetet e Bashkuara përshëndesin gatishmërinë e Greqisë për të kërkuar marrëveshje detare me fqinjët e saj në rajon, thanë Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias pas bisedimeve që patën të hënën në Selanik.

Sekretari Pompeo po zhvillon një vizitë dy-ditore në Greqi mes tensioneve të shtuara rajonale për burimet e energjisë.

Në një deklaratë të përbashkët, dy vendet bënë thirrje për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve detare në Mesdheun lindor.

“Shtetet e Bashkuara dhe Greqia … ripohuan besimin e tyre që çështjet e caktimit të kufirit detar duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore në përputhje me të drejtën ndërkombëtare,” thanë dy vendet në deklaratë.

Aleatët e NATO’s, Greqia dhe Turqia, të cilat kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, kanë rënë dakord të rifillojnë bisedime mbi pretendimet detare pas shumë javë tensionesh.

Tensionet u shkallëzuan muajin e kaluar pasi Turqia dërgoi anijen e kërkimeve sizmike Oruç Reis, të shoqëruar nga anije ushtarake në një zonë të diskutueshme që mendohet të jetë e pasur me burime energjetike, në vijim të një marrëveshjeje detare të nënshkruar midis Greqisë dhe Egjiptit.

Turqia ka thënë se pakti shkel shelfin e saj kontinental.

Pompeo dhe Ministri grek i Zhvillimit, Adonis Georgiadis, gjithashtu nënshkruan të hënën një marrëveshje shkencore dhe teknologjike. Dy vendet duan të bashkëpunojnë për inteligjencën artificiale, për sigurinë e rrjetit 5G dhe privatizimin e infrastrukturës strategjike, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Sekretari Pompeo arriti në Kretë të hënën në mbrëmje, ku do të qëndronte në rezidencën e Kryeministrit Grek Kyriakos Mitsotakis. Ai do të vizitojë të martën bazën ushtarake Souda në Kretë./voa