Ministri i Çështjeve Digjitale të Polonisë, ka thënë se vendi është duke u përballur me një përpjekje të paparë nga Rusia për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 18 maj.
Ndërsa fushata zgjedhore ka hyrë në fazat përfundimtare para raundit të parë të votimit, sipas Reuters, Polonia thotë se roli i saj si një qendër për ndihmë ndaj Ukrainës e ka bërë atë një objektiv kyç për sabotimin rus, sulmet kibernetike dhe përpjekjet e dezinformimit.
Rusia ka mohuar vazhdimisht akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet e huaja, por ka kritikuar Rumaninë për anulimin e tyre në muajin dhjetor. Kujtojmë se Rumania anuloi zgjedhjet presidenciale për shkak të akuzave se kishte ndërhyrje ruse.
Ndër të tjera në muajin mars, Varshava tha se kishte pasur një sulm kibernetik ndaj agjencisë hapësinore polake, e poashtu në vitin 2024, u raportua se agjencia shtetërore e lajmeve në Poloni ishte goditur nga një sulm kibernetik rus.
Veç kësaj, Varshava dhe aleatët e saj kanë pohuar gjithashtu se Moska qëndron pas akteve të zjarrvënies dhe sabotimit në të gjithë Evropën. Të gjitha këto pretendime janë hedhur poshtë nga Rusia.