Studiuesi dhe politologu rumun, Dragos Ionita, në një intervistë për “Libertatea.ro”, ka folur për raportin në mes të Rumanisë dhe Kosovës dhe faktin që Bukureshti zyrtar ende s’e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Ionita thotë se ndonëse çështja njohjes së Kosovës s’duket si diçka urgjente në listën e prioriteteve të politikës rumune, ajo së shpejti do të bëhet një temë vështirë e shmangshme për drejtuesit e shtetit rumun, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike që ndërlidhen edhe me luftën në Ukrainë, transmeton Gazeta Express.
“Duke marrë parasysh të gjithë këta elementë të ndërlidhur dhe implikimet gjeopolitike afatmesme-afatgjata të një vendimi të tillë, ripozicionimi i Rumanisë ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 duhet të bazohet në një analizë kosto-mundësi. Një njohje e Kosovës do të forconte pozicionin dhe statusin e Rumanisë në rajon si një aktor garantues i procesit të integrimit euroatlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.
Politologu rumun shton tutje se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Rumania do të ndikonte edhe në dobësimin e ndikimit të Rusisë në rajon.
“Vendimi do të kontribuonte në destabilizimin e narrativave të Kremlinit, të cilat përdorin “precedentin e Kosovës” si justifikim për pushtimin e paligjshëm të Krimesë”, ka deklaruar Ionita.
“Një vendim i tillë do të kontribuonte në përmirësimin e profilit të Rumanisë si garantuese e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, duke lehtësuar pjesëmarrjen aktive të autoriteteve të Bukureshtit në proceset diplomatike që synojnë, ndër të tjera, normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, shton tutje ai.
Ionita kur flet për një vendim të tillë të mundshëm për njohjen e Kosovës, thotë se duhet të merren parasysh edhe efeket negative që mund të prodhojë, e një ndër to është edhe gjenerimi i tensioneve dypalëshe me Serbinë, fillimisht për çështjen e ndjeshme të pakicës vllahe në Luginën e Timoçut.
Gjithashtu Ionita përmend edhe ndikimin që mund të ketë njohja e Kosovës në bashkëpunimin ekonomik në mes të Rumanisë dhe Serbisë.
Ndërsa në nivel të brendshëm, Ionita thotë se njohja e Kosovës do të riniste diskutimet mbi autonominë e Seklelandit “ një temë që konsiderohet të jetë ndër arsyet kryesore për vendimin e mosnjohjes”.
Megjithatë ai përmend karakteristika e rastit të Kosovës dhe sipas tij është shumë e rëndësishme të theksohet se njohja e pavarësisë së Kosovës s’do të ndikonte në integritetin territorial të Rumanisë,
“Këtu ia vlen të theksohet një informacion mbi sfondin: statusi aktual i Kosovës është rezultat i rrethanave të jashtëzakonshme historike, humanitare dhe ligjore, të njohura nga gjykatat ndërkombëtare. Kështu, njohja e pavarësisë nuk do të ndikonte në integritetin territorial të Rumanisë, krahasimi midis statusit të Kosovës dhe Seklelandit konsiderohet i pabazuar nga ekspertët në fushën e së drejtës ndërkombëtare (për shkak të statusit unik ligjor të Kosovës dhe ndërhyrjes së OKB-së në vitet 1990)”, thotë Ionita./GazetaExpress/