Politika që rrezikon jetë - Gazeta Express
string(25) "politika-qe-rrezikon-jete"

OP/ED

Gazeta Express

26/01/2021 15:52

Politika që rrezikon jetë

OP/ED

Gazeta Express

26/01/2021 15:52

Përderisa qytetarët e shteteve përreth po vaksinohen, në Kosovë politika po i mbledh ata në tubime elektorale që t’i infektojë. Politikanët, të cilët nuk po i respektojnë as vendimet që i kanë marrë vetë, e kanë hallin e votave e jo të shëndetit publik. Ata po rrezikojnë jetën e qytetarëve, teksa po iu premtojnë jetë më të mirë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Papërgjegjësi totale po tregojnë politikanët, teksa gjithandej vendit po mbledhin turma njerëzish, për t’i bindur që t’i votojnë më 14 shkurt. Ende pa filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, ata po i bien kryq e tërthor Kosovës, pa më të voglin dert se është kohë pandemia dhe mund të infektohen njerëzit që i mbledhin nëpër tubime. Pa respektuar masat e parapara me ligj e rregullore, ata nuk po hezitojnë të takojnë sa më shumë njerëz. Ata po shfaqen të papërgjegjshëm, ndërkohë që po premtojnë jetë e perspektivë më të mirë.

Është dyfytyrësi të mos respektosh masat kundër pandemisë, e ndërkohë t’iu flasësh njerëzve se si do t’ua përmirësosh jetën. Është papërgjegjësi t’ua rrezikosh jetën atyre që i ke mbledhur në tubim, e në anën tjetër t’u premtosh jetë më të mirë.

Duke vepruar në këtë mënyrë, politkanë të të gjitha partive po shpërfaqin gjithë papërgjegjësinë e arrogancën karshi qytetarëve. Po i ftojnë me vetëdije të plotë nëpër tubime, pa respektuar asnjë masë dhe më pas, pa pikën e marres, fotografitë e videot e tubimeve po i shfaqin në rrjetëe sociale.

Qytetarët, të cilët mund të infektohen nëpër këto tubime, do të kërkojnë ndihmë në një sistem gjysmë të rrënuar shëndetësor, që ka mbetur i tillë mu për fajin e shumicës së politikanëve që kanë keqqeverisur. Të njëjtët do të detyrohen të blejnë vetë ilaçet e shtrenjta, sepse nuk kanë një sigurim shëndetësor që të tillë politikanë e kanë premtuar tash e më shumë se një dekadë. Po ashtu, të njëjtët nuk do ta kenë lehtë të sigurojnë paratë për t’u përballur me sëmundjen, ngase shumica e këtyre politikanëve nuk iu kanë krijuar kushte për mirëqenie e punësim, duke gënjyer vit pas viti e zgjedhje pas zgjedhjesh se do të bëhet më mirë. Shumë nga po këta qytetarë janë goditur në aspektin social dhe ekonomik nga pandemia, për shkak se kanë mbetur pa vende pune, ndërkohë që premtimet për miliona e miliarda të rimëkëmbjes ekonomike nuk shihen në horizont.

* * *

Vetëm të martën në Kosovë u shënuan pesë raste të vdekjes nga Covid-19 dhe 288 të infektuar. Trendi i infektimit në shtete të tjera, sidomos në ato europiane, është në rritje. Por, kjo nuk duket të jetë problem për politikanët në Kosovë, që bëjnë fushatë zgjedhore thua se nuk po ndodh asgjë. Përderisa vaksinimi ende nuk ka filluar dhe nuk dihet kur do të fillojë, ata vazhdojnë lojën e rrezikshme me qytetarët. Përderisa qytetarët e shteteve përreth po vaksinohen, në Kosovë politika po i mbledh qytetarët që t’i infektojë. Në këtë mënyrë, ata po e shtojnë mosbesimin e qytetarëve ndaj çfarëdo mase që merret për të luftuar pandeminë.

Cila është logjika që të mbeten në fuqi kufizimet dhe rregullat për qytetarët, përderisa vetë ata që i kanë marrë vendimet nuk iu përmbahen atyre? Cila është logjika që policia të dënojë qindra qytetarë brenda ditës, për shkak të mosmbajtjes së maskës ose shkeljes së orarit të lëvizjes, përderisa politikanët nuk i respektojnë asnjërën nga to dhe nuk i dënon askush? Për më tepër, ka tubime elektorale që shoqërohen me të shtëna armësh dhe të tjera veprime të ngjashme.

Si t’i besohet një politikani që premton arsim dhe edukim më të mirë, kur vetë ai dhe të tjerët si ai tregohen të paedukatë në tubimet e tyre? Si t’i besohet një politikani që premton shëndetësi më të mirë, kur vetë ai dhe të tjerët si ai vënë në rrezik jetën e qytetarëve? Si t’i besohet një politikani që premton se do të jetë i përgjegjshëm e në shërbim të qytetarëve, kur vetë ai dhe të tjerët si ai tregohen plotësisht të papërgjegjshëm dhe qytetarëve ua bëjnë shërbimin më të keq nëpër tubime zgjedhore? Si t’i besohet një politikani që premton një model të mirë të qeverisjes, kur vetë ai dhe të tjerët si ai janë modeli më i keq dhe japin shembull të keq se si nuk duhet të veprohet.

 * * *

Është e kuptueshme që qytetarët janë të interesuar për oferta politike në zgjedhje, sepse nga to varet e ardhmja e tyre. Por, secili duhet të jetë aq i përgjegjshëm sa të mos rrezuikojë të marrë pjesë në tubime fizikisht, përderisa ofertat zgjedhore e ka mundësinë t’i marrë në forma të tjera.

Politikanët po rrezikojnë jetën e qytetarëve, teksa po iu premtojnë atyre jetë më të mirë. Duke i injoruar tubimet e tyre, secili qytetar mbrohet nga virusi. Njëkohësisht edhe nga plot rrena të ricikluara ndër vite.