Politika e shndërruar në përplasje të përhershme - Gazeta Express
string(48) "politika-e-shnderruar-ne-perplasje-te-perhershme"

Politika e shndërruar në përplasje të përhershme

Gazeta Express

02/05/2020 15:53

Një hendek i madh politik është vendosur në mesin e politikë dhe të shoqërisë kosovare. Gjasat për tejkalimin e tij nuk ekzistojnë fare.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Vendimi i të premtes  (1 maj), i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për masën e pezullimit të përkohshëm të Dekretit të Presidentit Thaçi për nominimin e Abdullah Hotit Kryeministër i Qeverisë së re të Kosovës, me gjasë do të prodhojë efektin e një lloji të ‘Armëpushimit politik’ në Kosovë.

Ai, megjithatë, nuk mund të zgjasë më shumë se katër javë, sepse më së largu të premten, me 29 maj (edhe pse Verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për përputhshmërinë e Dekretit të Presidentit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës mund të përgatitet edhe më herët), do të dihet se çfarë ka vendosur instanca sipërore gjyqësore në Kosovë që ruan Kushtetutën e Kosovës dhe Rendin e krijuar mbi te.

Në secilën variant pra, prej 29 majit e tutje, do të vazhdojnë, mbase, në mënyrën më të vrazhdë të mundur, përplasjet e brendshme politike, të cilat në të vërtetë nuk kanë pushuar pothuaj asnjëherë, që nga dhjetori i vitit 2014-të, kur u pati krijuar Qeveria e tretë e Republikës së Kosovës, që udhëhiqej nga Kryeministri Isa Mustafa.

Këto konfrontime të vazhdueshme, të cilat në të shumtën e rasteve nuk kishin të bënin fare me parime politike, me orientime dhe programe qeverisëse, por me synimin që të ndryshojë në çdo mënyrë skema e organizimit të pushtetit, patën pasoja të shumëfishta për politikën e Kosovës, për shtetin e Kosovës, për qytetarët e saj.

Politika e Kosovës është në një gjendje të vendnumërimit apo të ngecjes kontinuele që nga dhjetori i vitit 2014-të, dhe në ndërkohë, 12 vjet pas pavarësisë, më së shumti falë kësaj gjendjeje të Status Quo-së së kësaj politike, kemi arritur që t’i vëmë në mëdyshje vlerat themelore të shtetit të Kosovës, i cili realisht, është krijuar, më së shumti falë një simbioze të mirëfilltë në mes të drejtës sonë për të vendosur për fatin tonë dhe orientimeve themelore politike të SHBA-së dhe BE-së.

Kemi arritur, si thuhet, ’ta humbim udhën në oborr’, sepse, në vend se politika të jetë një organizim i një populli, i një shteti, për udhëheqjen me atë shtet dhe për zgjidhjen e problemeve kryesore të tij dhe të qytetarëve të tij, ajo, (politika), është burimi kryesor i të gjitha tensioneve dhe problemeve të cilat janë prodhuar në Kosovë për vite të tëra.

Organizimi i zgjedhjeve të shpeshta në Kosovë  (prej vitit 2014 e deri më 2019, janë mbajtë, për 52 muaj, tri zgjedhje të parakohshme në Kosovë, në një periudhë që ka mundur madje, poqëse politika kosovar do të funksiononte si duhet të mbaheshin vetëm një palë zgjedhje të rregullta), është supozuar të shërbejë së një lloj i ’terapisë’ për ta tejkaluar këtë gjendjen e krizës së vazhdueshme politike.

Doli të jetë e kundërta. Kriza i kishte paraprirë zgjedhjeve, dhe ajo, vetëm sa është forcuar pas tyre.

Kjo zatën u vërejt në mënyrën më të qartë të mundshme edhe pas zgjedhjeve të fundit të parakohshme parlamentare të mbajtur me 6 tetor të vitit të kaluar.

Qeveria në detyrë  (apo, si thuhet ndryshe edhe Qeveria kujdestare), e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, nuk ka më legjitimitet, që prej 25 marsit, kur me votën e 82 deputetëve ndodhi shfuqizimi apo shkarkimi i saj.

Brenda Kuvendit të Kosovës, janë dy vullnete politike të cilat aktualisht bashkëjetojnë në trajtë të një konfrontimi të vazhdueshëm, ku Kryeministri në detyrë, Kurti, insiston në tejkalimin e këtij konfrontimi vetëm përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme  (të cilat do të mund të mbaheshin pas dobësimit apo edhe tejkalimit të Pandemisë së Covid-19), teksa LDK, si partia e dytë më e votuar në zgjedhjet e kaluara, vlerëson që mund ta bëjë një Qeveri të re me shumicën parlamentare  (këtë LDK e dëshmoi me mbedhjen e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës pak ditë më parë).

Fushëbeteja tjetër, pos kësaj që përkon me legalitetin, legjitimitetin dhe mënyrën e tejkalimit të këtij konfrontimi të madh politik, përkon me relacionet tona me SHBA-në dhe BE-në, ku të thuash nuk ka asnjë element të përbashkët në mes të qëndrimeve të Qeverisë kujdestare dhe subjekteve opozitare karshi kryeqendrave të Perëndimit.

Natyrisht, këtu nuk duhet harruar që dallimet politike në mes të Qeverisë aktuale  (në detyrë), dhe protagonistëve të tjerë politik në vend duket të jenë të pakapërcyeshme edhe në shqyrtimin e temës së dialogut të Kosovës dhe Serbisë, mënyrës se si duhet të bëhet ai, kornizës kohore kur ky dialog do të duhej të përmbyllej dhe vetë epilogut të tij.

Mbase, tej asaj qasjeje deklarative që në shikim të parë krijon afërsi midis liderëve dhe subjekteve  (sepse në parim, ta zëmë, të gjithë janë për Sundimin e ligjit dhe për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, për inkuadrimin e Kosovës në BE dhe në Paktin NATO, për ruajtjen e partneritetit të Kosovës me SHBA-në), realisht, ka fare pak gjëra të përbashkëta në mes të kampeve politike të konfrontruara ’me të gjitha mjetet’ në Kosovë.

Në këtë atmosferë mbizotëruese politike në Kosovë, e cila nuk ndryshoi me zgjedhje, do të ishte iluzion të mendohet që gjithçka do të rrafshohet  (si thuhet), apo do të rregullohet me një Verdikt të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Zatën, qysh tash janë vërejtur hezitimet e qarta që të pranohet akëcili Verdikt i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Është një hendek i madh politik që është vendosur në mesin e politikë dhe të shoqërisë kosovare. Gjasat për tejkalimin e tij nuk janë minimale. Ato, thjeshtë, nuk ekzistojnë fare.

Është ky një lajm me të cilin sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojmë të jetojmë edhe tashe  tutje, siç jemi mësuar tashmë me vite të tëra.