Vladimir Putin ngriti mundësinë e mbajtjes së një takimi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Rusi në një telefonatë me Donald Trump. Por menjëherë pas përfundimit të telefonatës, e cila u zhvillua ndërsa Zelensky dhe udhëheqësit e BE-së ishin në Shtëpinë e Bardhë, të pranishmit vlerësuan shpejt se ideja nuk ishte serioze, raporton Politico.
“Të gjithë e hodhën poshtë menjëherë dhe vazhduan më tej, dhe tani media po e bën shumë të madhe këtë gjë”, tha njëri nga zyrtarët, të cilit iu dha anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së temës. Ukraina gjithashtu nxitoi ta refuzonte një propozim të tillë, duke kujtuar se Kremlini kishte tentuar vazhdimisht të vriste Zelenskyn.
Megjithatë, një zyrtar i lartë i administratës Trump i tha Politicos se Putin ka shprehur dëshirën për t’u takuar me Zelenskyn në mënyrë dypalëshe. Se ku mund të zhvillohet një takim i tillë, nëse mund të zhvillohet, mbetet e panjohur.
Presidenti francez Emmanuel Macron sugjeroi Gjenevën si një qytet të mundshëm pritës, dhe ideja u mbështet menjëherë nga Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe Ministri i Jashtëm zviceran Ignazio Cassis. Cassis tha se Zvicra ishte “e gatshme për një takim të tillë” dhe shpjegoi se Putin, megjithëse nën një urdhër arresti ndërkombëtar për krime lufte në Ukrainë, nuk do të arrestohej nëse do të vinte në vend për konferencën e paqes.
Gjithashtu, Trump dhe Meloni po përpiqen ta detyrojnë takimin të mbahet në Romë, dje Budapesti u përmend po ashtu, ndërsa sot flitet për Vjenën dhe Dohan. Sidoqoftë, ka ende shumë të panjohura.
Megjithatë, zyrtarë të shumtë rusë u përpoqën të zbutnin pritjet të martën, duke thënë se një takim i vërtetë midis Putinit dhe Zelenskyt nuk ishte as afër.