Paralajmërim: Ky artikull përmban përshkrime të dhunës që disa lexues mund t’i gjejnë shqetësuese.
Një duzinë të rinjsh afganë që u përpoqën të arrinin në Europë në janar i kanë thënë BBC-së se ishin mes një grupi prej 50 migrantësh që u rrahën dhe u zhveshën nga rojet kufitare turke përpara se të mbeteshin të bllokuar në dëborë.
Ata thonë se u detyruan të largoheshin nga qyteti lindor turk Van drejt kufirit iranian, ku temperaturat ishin nën zero. Grupi shtoi se të paktën 20 persona u ngrinë për vdekje.
Njëmbëdhjetë nga 12 burrat dhe djemtë që folën për BBC-në – përfshirë një 13-vjeçar – përfundimisht humbën gjymtyrët për shkak të ngrirjes.
Grupi, të gjithë të moshës 25 vjeç ose më të rinj, u kthyen përfundimisht në Afganistan.
Njëri nga migrantët, Shahsawar, thotë se u zgjua në një spital në Kabul dhe zbuloi se i ishin amputuar të dy duart dhe këmbët.
“Kur ngrita duart – ato ndiheshin të lehta. Të dyja ishin prerë”, i thotë ai BBC-së. “M’u mbyll fyti dhe nuk mund të flisja”.
Kur u kontaktuan për koment, autoritetet turke nuk iu përgjigjën në mënyrë specifike pretendimeve të migrantëve.
Por ministria e jashtme tha se forcat kufitare kanë ndjekur ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe u kanë ofruar migrantëve të ndaluar pa dokumente të gjithë ndihmën e nevojshme, përfshirë ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor.
Në mes të janarit, rreth 50 migrantë afganë pa dokumente u arrestuan pasi trafikantët e njerëzve i ndihmuan të kalonin kufirin iranian drejt qytetit Van, ku temperaturat kishin rënë në -15C.
Shahsawar, 21 vjeç, thotë se u ndalua menjëherë pas hyrjes në qytet.
Rojet kufitare turke më pas i rreshtuan migrantët dhe i rrahën, thotë ai.
“Na mbajtën disa net në një magazinë, ku bora binte mbi ne. Dhe na jepnin vetëm ujë dhe bukë të thatë një herë në ditë”/
“Ata na detyruan të bënim punë të rënda”, shton Alawaldin, 23 vjeç. “Duhej të bartnim dru dhe të pastronim borën”.
Alawaldin nuk ishte në gjendje as të kontaktonte familjen e tij dhe as trafikantin që i kishte premtuar se do ta çonte në Europë.