Një dyvjeçar që kishte humbur pasi ishte larguar nga prindërit e tij në plazhin e Velipojës është gjetur pas intervenimit të policisë.
Salla Operative e Stacionit të Policisë Velipojë u njoftua nga një familje pushuese se djali i tyre i mitur ishte larguar dhe nuk po e gjenin dot.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë në zonën e plazhit u angazhuan në kërkime intensive në terren.
Punonjësit e policisë në Velipojë ia dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, djalin dyvjeçar, raporton KosovaPress.
Prindërit e djalit falënderuan shërbimet e policisë për reagimin e menjëhershëm dhe përkushtimin në këtë rast.
Policia e Shtetit u bën apel pushuesve që të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët e tyre, veçanërisht në zonat e mbipopulluara, si plazhet.