Njësitë hetimore të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar një aksion të përbashkët në fshatin Brezovicë, komuna e Shtërpcës, ku kanë zbuluar dhe sekuestruar një arsenal armësh në një vilë private.
Sipas Policisë, hetimet janë realizuar nga njësia e hetimeve e stacionit policor në Shtërpcë, në bashkëpunim me hetuesit nga stacioni policor “Qendra” në Prishtinë. Gjatë kontrollit në vilën e dyshuar, janë gjetur: Një pushkë automatike, dy pushkë ajrore, pesë karikatorë për pushkë automatike, njëzet e një fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Prokurori i shtetit është njoftuar për rastin, i cili tashmë është cilësuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe është proceduar më tej në përputhje me ligjin.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari nuk është gjetur në vendin e ngjarjes gjatë kohës së kontrollit dhe aktualisht është në kërkim.
Hetimet po vazhdojnë me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personit të dyshuar.