Policia raporton për gjashtëmujorin e parë të vitit: Kriminalitet më i ulët, zbulueshmëri më e lartë dhe kontroll më efektiv i kufirit - Gazeta Express
string(132) "policia-raporton-per-gjashtemujorin-e-pare-te-vitit-kriminalitet-me-i-ulet-zbulueshmeri-me-e-larte-dhe-kontroll-me-efektiv-i-kufirit"

Lajme

Gazeta Express

18/07/2025 16:59

Policia raporton për gjashtëmujorin e parë të vitit: Kriminalitet më i ulët, zbulueshmëri më e lartë dhe kontroll më efektiv i kufirit

Lajme

Gazeta Express

18/07/2025 16:59

Policia e Republikës së Kosovës ka publikuar raportin gjashtëmujor për periudhën janar-qershor 2025, duke njoftuar për përmbushjen e objektivave strategjike dhe arritjen e rezultateve të konsiderueshme në fushën e sigurisë, luftës kundër krimit, menaxhimit të kufijve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Sipas njoftimit zyrtar, implementimi i objektivave strategjike dhe përkushtimi i menaxhmentit dhe zyrtarëve policorë ka rezultuar me progres në të gjitha segmentet e sigurisë publike dhe forcimit të rendit e ligjit. Përkundër sfidave të shumta, Policia ka arritur që të ulë shkallën e kriminalitetit dhe të përmirësojë ndjeshëm zbulueshmërinë e rasteve penale.

Më pak vepra penale, më shumë zbulueshmëri

Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar gjithsej 23,125 raste, prej të cilave 12,769 janë vepra penale, ndërsa pjesa tjetër janë kundërvajtje dhe raste të natyrave të tjera. Kjo paraqet një rënie prej 6.28% të veprave penale krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 (nga 13,626 në 12,769 raste). Për më tepër, zbulueshmëria ka shënuar rritje prej 5.22%.

Ndër veprat më të rëndësishme, Policia ka evidentuar:

Rënie të vjedhjeve (nga 1,888 në 1,751, ose -7.25%)

Rënie të grabitjeve (nga 45 në 36, ose -20%)

Rënie të dhunës në familje (nga 1,268 në 1,200, ose -5.36%)

Lëndimet e lehta po ashtu kanë shënuar rënie për -3.55%

Rezultate në hetime dhe luftim të grupeve kriminale

Policia ka intensifikuar përpjekjet në luftimin e grupeve të organizuara kriminale, duke ndjekur dhe ndëshkuar veprimtaritë kriminale në fusha si: narkotikët, kontrabanda me migrantë dhe mallra, si dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Kontroll më efektiv i kufirit dhe rritje e qarkullimit

Gjatë periudhës raportuese, kufijtë e Republikës së Kosovës janë kaluar nga 14,291,186 persona, shifër që paraqet rritje për 8.36% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, 4,624,528 automjete kanë kaluar kufijtë – një rritje për 8.76%.

Policia Kufitare ka evidentuar:

320 raste penale

326 kundërvajtje

466 gjoba për migracion dhe të huaj

337 të arrestuar për vepra të ndryshme

931 persona të kapur me urdhëresa vendore

29 ndalime shtesë

Forcim i sigurisë në trafik

Në fushën e trafikut rrugor, janë zbatuar 23 plane operative, realizuar 43 fushata sensibilizuese, dhe janë përmirësuar pajisjet teknologjike për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.

Bashkëpunimi ndërkombëtar: Arrestime dhe ekstradime të suksesshme

Përmes kanaleve ndërkombëtare të komunikimit si INTERPOL dhe EUROPOL, janë shkëmbyer 10,835 informacione ndërkombëtare, ndërsa janë realizuar:

13 arrestime të personave të kërkuar ndërkombëtarisht

39 ekstradime, prej tyre 15 nga Kosova në shtete të tjera dhe 24 drejt Kosovës

Gjatë kësaj periudhe, janë punësuar 283 zyrtarë policorë dhe 25 staf civil. Policia ka organizuar 620 trajnime për 5,339 pjesëmarrës, që përfshijnë fusha si: krimi kibernetik, kundërterrorizmi, hetimet penale, dhe policimi.