Policia e Kosovës para pak minutash ka bllokuar sërish me shirit rrugën në afërsi të Parkut të Qytetit në Prishtinë si dhe objektin që mbrëmë u përfshi nga zjarri.
Nga pamjet shihet se rruga kah parku është vendosur në shirit të sigurisë, që ndërlidhet me objektin që u përfshi mbrëmë nga flakët.
Këtë e ka konfirmuar edhe sot zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ku tha se Policia po kryen ekzaminimet e duhura në objektin e djegur, pasi mbrëmë ishte errësire.
“Veprimi i Policisë sot për rrethimin me shirit të objektit afër Parkut të Qytetit lidhet me ngjarjen e mbrëmshme, ku objekti u përfshi nga zjarri dhe sot po bëhet ekzaminimi, pasi janë do gjëra që duhet me i pa, sigurisht kanë vendos sot me vazhdu ekzaminimin”, tha Ahmeti.