Policia e Shtetit ka marrë masat me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në institucionet arsimore publike dhe jopublike, me rastin e fillimit të vitit shkollor 2025-2026 dhe në vazhdim.
Drejtori i Rendit Publik, Agron Çeli, u shpreh sot në një deklaratë për median se “strukturat në varësi të Departamentit të Policisë Kriminale dhe pranë Drejtorive Vendore të Policisë do të intensifikojnë punën e tyre në marrjen e informacioneve që nxisin veprimtari të mundshme kriminale, si brenda dhe jashtë institucioneve arsimore, identifikimi dhe ndëshkimin e personave me këto tendenca, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, të cilat cenojnë sigurinë dhe mbarëvajtjen normale të aktivitetit në këto institucione”.
“Në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla dhe programit të ri të veprimit të Ministrisë së Arsimit, strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin do të bashkëpunojnë me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, AKU-në, pushtetin vendor, psikologët dhe punonjësit social në shkolla”, tha ai.
Çeli theksoi se, “në vazhdimësi, do të bashkëpunohet me drejtuesit e institucioneve arsimore publike dhe jo publike, si dhe të pushtetit vendor për përcaktimin e detyrave dhe masave të përbashkëta, për rritjen e nivelit të sigurisë publike në ambientet e mësimdhënies, duke përcaktuar masat për, përcaktimin e perimetrit të sigurisë në shkolla të të gjitha niveleve, kufizimin dhe ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmentet rrugore të caktuara pranë shkollave. Vendosjen e sinjalizimit përkatës vertikal dhe horizontal të domosdoshëm për disiplinën e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve”.
“Në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, AKU-në dhe pushtetin vendor do të punohet për mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë shërbejnë dhe si pika të grumbullimit të shtetasve me presidentë kriminalë, përdoruesve të pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, si dhe burim rreziku për prishjet e rendit publik apo veprimtarit të tjerë të dhunshëm ndaj personelit mësimdhënës dhe nxënësve të shkollave”, u shpreh Çeli.
“Dhënia dhe shkëmbimi në informacione me stafin pedagogjik dhe me oficerët e sigurisë në shkolla për nxënësit që mund të mbajnë me vete sende të kundërligjshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrollit në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës dhe oficerët e sigurisë në prani të mësuesve dhe nën mbikëqyrjen e punonjësve të policisë”, tha ai.
Çeli u shpreh se, “strukturat vendore të policisë do të vlerësojnë çdo informacion që ka të bëjë me prishjen e rendit dhe kryerjen e çdo veprimtarie kriminale në këto institucione. Si dhe konfliktet apo mosmarrëveshjet që mund të kenë nxënësit brenda shkollës, fenomenin e bullizmit, si dhe mosmarrëveshjet që mund të kenë me shtetas të tjerë jashtë institucioneve arsimore. Me qëllim marrjen e masave të nevojshme për parandalimin e veprave penale, si dhe për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve”.
“Në rastet e njoftimeve të rreme që shkaktojnë panik tek nxënësit dhe stafet pedagogjike, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me prokuroritë përkatëse do të punojnë për zbulimin, identifikimin e telefonuesve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore”, tha ai.
“Nga ana e drejtuesve të strukturore për krimet në volum të rendit publik dhe policisë rrugore, në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe organizatat joqeveritare, që në fokusin e punës së tyre kanë institucionet arsimore, do të organizohen dhe zhvillohen aktivitete të përbashkëta me kolektivin mësues-nxënës të shkollave nëntëvjeçare dhe ato të mesme, si në ambientet e policisë dhe në ato të shkollave, për njohjen dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në qendrat urbane për sigurinë dhe bashkëpunimin me policinë, pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike për rrezikshmërinë e mbajtjes së armëve të ftohta e të zjarrit në banesa apo nga të rinjtë dhe rrezikun nga krimet kibernetike e të tjera”, u shpreh Çeli.
Njëkohësisht, shtoi ai, “në zbatim të programit për reduktimin e drogave, duhanit dhe alkoolit në shkolla, specialistët e policimit në komunitet do të vijojnë t’i japin orë mësimore në shkollat nëntëvjeçare. Specialistët për krime në volum dhe ndihmës specialistë e policisë në komunitet do të marrim pjesë në takimet që zhvillohen në shkolla, si takimet e bordit të prindërve, senatit të nxënësve e të tjerë duke diskutuar dhe trajtuar problemet apo shqetësimet që lidhen me sigurinë publike në këto institucione”.
“Do të zhvillohen analiza periodike në lidhje me sigurimin e rendit dhe qetësisë publike në shkolla, duke evidentuar problemet që hasen dhe përcaktimin e detyrave konkrete për zgjidhjen e tyre, si dhe parandalimin dhe goditjen e çdo lloj veprimtarie kriminale që mund të zhvillohet në ose pranë institucioneve arsimore ose ambienteve shkollore”, theksoi Çeli.
“Për raste apo ngjarje të veçanta, do zhvillohen takime dhe analiza të përbashkëta me drejtuesit e këtyre institucioneve dhe do dërgohen informacion në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, tha ai.
Në këtë kuadër, shtoi Çeli “ftojmë qytetarët që të denoncojnë menjëherë në numrin pa pagesën 112 për çdo dyshim apo konstatim që cenojnë jetën, shëndetin dhe procesin mësimor të nxënësve”.
“Policia e Shtetit në rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025-2026 garanton prindërit dhe gjithë qytetarët për një angazhim maksimal për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor. Urojmë nxënësit e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme suksese në këtë vit të ri shkollor. Policia është pranë jush, mos nguroni të bashkëpunoni dhe të bisedoni me punonjësit e policisë për çdo shqetësim tuaj”, tha ai.