Dy policë janë lënduar në parandalimin e një përleshje mes tifozëve të Prishtinës dhe Ferizajt në Ferizaj.
Ndeshja u ndërpre për disa minuta, pasi jashtë tribunave pati tentim për përleshje, shkruan Gazeta Express.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha për Gazetën Express se dy policë kanë pësuar lëndime trupore, kurse katër persona janë shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj.
“Me datën 28.09.2025 pasi ka filluar ndeshja futbollistike për garat e Superligës së Kosovës, në mes të Ferizajt dhe Prishtinës, policia e Ferizajt ka parandaluar një tentim përleshje mes tifozëve jashtë tribunave. Me këtë rast policia ka shoqëruar 4 persona në stacionin policor në Ferizaj për intervistim, ndërsa dy pjesërë të policisë kanë pësuar lendime trupore dhe për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Janë marrë masat shtesë nga policia për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje”.