Policia në Vushtrri ka arrestuar sot dy persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Ngacmim”, pasi sipas denoncimit të një qytetareje, ata e kishin ndjekur atë me një automjet motorik nëpër rrugët e qytetit, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim emocional.
Sipas njoftimit të Policisë, menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore janë vënë në ndjekje të të dyshuarve. Me urdhër të lëshuar nga prokuroria, është kryer kontroll në vendbanimet e tyre, ku edhe janë arrestuar dy të dyshuarit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se këtij rasti i ka paraprirë një incident i mëhershëm, i ndodhur disa ditë më parë, mes familjes së të dyshuarve dhe bashkëshortit të ankueses. Ky rast veçse është proceduar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Policia ka sekuestruar edhe mjetin me të cilin dyshohet se është kryer ndjekja, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale “Ngacmim”.
Personi me inicialet A.G., 19 vjeç, është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër, një i mitur me inicialet K.H., 17 vjeç, është liruar në procedurë të rregullt.