Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut, në bashkëpunim me inspektoratet komunale dhe institucionet tjera përgjegjëse, ka bërë thirrje publike për respektimin e dispozitave ligjore që rregullojnë rendin dhe qetësinë publike, veçanërisht nga ana e subjekteve afariste si kafiteritë, restorantet dhe baret.
Në njoftim thuhet se muzika dhe çdo aktivitet tjetër që prodhon zhurmë nuk lejohet të shqetësojë rendin dhe qetësinë publike jashtë orarit të përcaktuar ligjërisht.
“Çdo shkelje e këtyre dispozitave do të trajtohet si kundërvajtje dhe do të ndiqet sipas procedurave ligjore. Ligji Nr. 03/L-142 Neni 8 – “Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike”. “Kushdo që shkakton zhurmë të pa nevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet të banorët për rreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri në orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje”. Qëllimi i kësaj mase është ruajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftim.
Tutje, policia ka ftuar të gjitha bizneset të bashkëpunojnë për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Respektimi i ligjit është detyrim dhe përgjegjësi e përbashkët”.