Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka nisur sot fushatën vetëdijësuese me moton “Duart në timon, jo në telefon”. Kjo fushatë po realizohet nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në bashkëpunim me stacionet policore vartëse në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han i Elezit, me mbështetjen e OJQ-së “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt”.
Sipas njoftimit, fushata është konceptuar dhe hartuar nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e DRP-Ferizaj, me qëllim të përcjelljes së një mesazhi sensibilizues dhe të qartë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik: “Një sekondë në telefon mund të jetë shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon.”
“Në kuadër të kësaj iniciative do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, duke përfshirë shpërndarjen e fletëpalosjeve informuese, vendosjen e posterëve në rrugë dhe sheshe publike dhe mbajtjen e ligjëratave vetëdijësuese në shkollat e rajonit të Ferizajt”, thuhet në njoftim.
Faza e parë e projektit do të ketë karakter parandalues dhe edukativ, duke zgjatur deri më 12 tetor 2025, ndërkaq, nga data 13 tetor 2025, policia do të fillojë zbatimin e masave ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin e trafikut dhe rrezikojnë sigurinë rrugore.