string(131) "policia-ndalon-tentative-per-transport-te-drunjve-te-prera-ilegalisht-ne-kacanik-te-dyshuarit-i-vene-zjarr-automjetit-dhe-arratisen"

Lajme

Gazeta Express

07/06/2025 22:48

Policia ndalon tentativë për transport të drunjve të prera ilegalisht në Kaçanik – të dyshuarit i vënë zjarr automjetit dhe arratisen

Lajme

Gazeta Express

07/06/2025 22:48

Në kuadër të zbatimit të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”, Policia e Kosovës në Kaçanik ka ndërmarrë një aksion të rëndësishëm mbrëmjen e së shtunës për të parandaluar prerjet ilegale të pyjeve në zonën e Sharrit.

Rreth orës 21:30, gjatë patrullimit në rrugën malore që lidh Kaçanikun me fshatin Luboten, njësitë policore kanë hasur një automjet tip xhip me rimorkio, të ngarkuar me drunj të dyshuar të prera në mënyrë të paligjshme. Pavarësisht thirrjeve dhe sinjaleve të policisë për ndalim, të dyshuarit kanë refuzuar të ndalen, duke vazhduar lëvizjen në drejtim të zonës së thellë malore.

Gjatë ndjekjes, në përpjekje për të penguar policinë, të dyshuarit kanë shkarkuar një pjesë të ngarkesës së drunjve në rrugë dhe më pas i kanë vënë zjarr automjetit, duke u larguar më pas në drejtim të panjohur.

Në vendin e ngjarjes kanë reaguar menjëherë komandanti i stacionit policor të Kaçanikut, një njësi e Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSH), si dhe janë njoftuar zyrtarët e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Policia ka nisur hetimet dhe është në proces të identifikimit të personave të përfshirë në këtë veprim ilegal. Operacionet në terren vazhdojnë në bashkëpunim të ngushtë me rojet e pyjeve dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit.

Policia Rajonale e Ferizajt rikujton qytetarët për rëndësinë e mbrojtjes së pasurisë natyrore dhe i fton ata që të raportojnë çdo rast të prerjeve apo shitjeve ilegale të drunjve përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat:
📞 192
📞 0290/326-250
📞 0290/322-406

Të gjitha të dhënat do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.

aaaaa