Policia e Kosovës ka njoftuar se janë kryer kontrolle në pesë lokacione në rajonin e Mitrovicës së Veriut për dyshimet për armëmbajtje pa leje.
Në një shtëpi në Soqanicë policia ka hasur dy armë që ishin në proces të legalizimit.
“Rasti I: Në një shtëpi banimi në Soqanicë, Komuna Leposaviq Policia ka hasur në dy armë të cilat ishin në proces të legalizimit. Pronari i tyre kishte pasur leje për posedim të armëve nga UNMIK-u ndërsa tani kishte aplikuar për vazhdim të lejeve tek institucionet kompetente.”
Në rastin e dytë, një person në Leposaviq ka thënë se e ka pasur një armë gjuetie me leje të UNMIK’ut, të cilën e ka shitur në vitin 2006.
“Rasti II: Në një shtëpi banimi në Ibarska Sllatin, Komuna Leposaviq është kontrolluar shtëpia dhe nga pronari Policia është informuar se ai e ka pasur një armë gjuetie me leje të UNMIK-ut të cilën e kishte shitur në vitin 2006, duke i respektuar procedurat ligjore mbi shitjen.”
Në rastin e tretë, një person ka thënë se dy armët që i kishte me leje të UNMIK’ut i ka dërguar në Serbi. Në shtëpinë e tij është sekuestruar një sasi e vogël e municionit.
“Rasti III: Në një shtëpi banimi në lagjen Korile Komuna Zveqan, është kontrolluar një shtëpi dhe nga pronari Policia është informuar se dy armët të cilat i kishte me leje të UNMIK-ut i kishte dërguar në Serbi. Në shtëpi është gjetur një sasi e vogël e municionit të cilat janë sekuestruar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.”
Në rastin e katërt, në një shtëpi nuk është hasur pronari, por ai ka thënë se do ta dorëzojë nesër armën me leje të UNMIK’ut të skaduar.
“Rasti IV: Në një shtëpi banimi në fshatin Okllaqe Zubin Potok është kontrolluar shtëpia ku nuk është hasur në diçka të dyshimtë, është kontaktuar pronari nëpërmes telefonit i cili ka thënë se armën të cilën e kishte me leje te UNMIK-ut të skaduar, do ta sjell nesër stacionin Policor.”
Në një shtëpi në Uglar është gjetur një armë gjuetie me leje të skaduar të UNMIK’ut.
“Rasti V: Në një shtëpi banimi në fshatin Uglar Zubin Potiok është kontrolluar shtëpia ku është gjetur një armë gjuetie me leje të skaduar të UNMIK-ut e cila është sekuestruar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.”
Policia thotë se s’ka persona të arrestuar.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri do të vazhdojë me aksione të tilla, andaj apelojmë tek qytetarët që të respektojnë ligjin. Çdo armë e cila mbahet pa leje të vlefshme konsiderohet e kundërligjshme, prandaj qytetarët inkurajohen të paraqiten në stacionet policore për të kryer procedurat për vazhdimin e lejeve të armëve.
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...