Një person ka mbetur i vdekur mbrëmë në Balaj të Ferizajt pasi dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur rreth orës 19:42 dhe u iniciua si “Vrasje”, ndërkaq i dyshuari është arrestuar.
Sipas Policisë, deri te rasti dyshohet se erdhi pas një mosmarrëveshje mes të dyshuarit dhe viktimës.
Në vendin e ngjarjes u gjetën katër gëzhoja që dyshohet se janë shkrepur nga i dyshuari.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje që kishte me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe për pasojë, viktima ka mbetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar pistoletën dhe 4-gëzhoja që dyshohet se janë shkrepur nga i dyshuari”, njofton Policia.
Ndërsa, në shtëpinë e të dyshuarit u gjet një pushkë gjuetie me 72 fishekë.
“Po ashtu gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një pushkë gjuetie, me 72 fishekë cal-12 mm, dhe një pushkë ajrore. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar”, njofton Policia.