Policia e Kosovës ka dhënë më shumë informacione lidhur me ngjarjen tragjike të një vrasjeje të dyfishtë që ndodhi mbrëmë në fshatin Majac të Podujevës.
Sipas njoftimit zyrtar, një burrë është gjetur pa shenja jete brenda një veture të parkuar jashtë një shtëpie. Ndërkohë, brenda shtëpisë janë gjetur dy gra të plagosura me armë zjarri, njëra prej të cilave ka ndërruar jetë disa orë më vonë në QKUK, ku ishte duke marrë trajtim mjekësor.
Policia bën të ditur se fillimisht ka pranuar informacion për një person të pajetë në një veturë në këtë fshat. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore përkatëse, hetuesit dhe forenzika, si dhe janë njoftuar prokurori kompetent dhe ekipet mjekësore.
“Sipas të dhënave fillestare, vetura (VW) me ngjyrë të bardhë dhe targa lokale (01) rezulton të jetë në pronësi të një mashkulli nga Obiliqi, i cili është identifikuar si viktima e gjetur pa shenja jete në automjet”.
Gjatë hetimeve, policia ka siguruar informacione se brenda shtëpisë ndodhej një person i gjinisë femërore i armatosur, i cili refuzonte komunikimin dhe paraqiste rrezik për veten dhe të tjerët.
“Për shkak të situatës, janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe ekipet për ndërmjetësim. Pas ndërhyrjes së tyre, situata është vënë nën kontroll dhe brenda shtëpisë janë gjetur dy gra me plagë të rënda, por ende me shenja jete. Ato kanë marrë ndihmën e parë dhe më pas janë transportuar në spital nën përcjellje mjekësore dhe policore”.
Trupi i pajetë i burrit është tërhequr nga vendi i ngjarjes nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Më vonë, në orët e hershme të së hënës, është konfirmuar se njëra nga gratë e plagosura ka ndërruar jetë në QKUK, gjë që është konstatuar nga mjeku kujdestar.
Lidhur me rastin, prokurori nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa rasti është rikualifikuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.