Policia izraelite vret një palestinez të paarmatosur, besohet se kishte edhe probleme mendore - Gazeta Express

Policia izraelite vret një palestinez të paarmatosur, besohet se kishte edhe probleme mendore

Lajme

Gazeta Express

30/05/2020 12:43

Policët izraelitë e kanë vrarë një palestinez për të cilin dyshonin se ishte i armatosur. Sidoqoftë, më vonë u kuptua se personi i vrarë nuk kishte armë. Rasti ndodhi në pjesën e vjetër të Jerusalemit.

“Njësitet policore në patrullim e vërejtën një person të dyshuar me një objekt të dyshimtë që dukej si pistoletë. Ata i kërkuan që të ndalej dhe filluan ta ndiqnin në këmbë. Gjatë ndjekjes, zyrtarët gjithashtu kanë hapur zjarr në drejtim të të dyshuarit”, tha zëdhënësi i policisë, Micky Rosenfeld.

Policia nuk tha nëse burri ka qenë duke mbajtur armë, por kanali izraelit “Channel 13 News” raportoi se personi i vrarë ishte i paarmatosur dhe mund të ketë pasur probleme mendore.

Tensionet mes Izraelit dhe Palestinës janë rritur javëve të fundit për shkak se qeveria izraelite ka thënë se ka plane për ta zgjeruar sovranitetin në vendbanimet çifute dhe Luginën e Jordanit në Bregun e pushtuar Perëndimor, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Palestinezët, shtetet arabe, Kombet e Bashkuara dhe shtetet evropiane kanë paralajmëruar kundër këtij plani, ndërsa autoritetet palestineze e kanë shpallur fundin e bashkëpunimit me Shtetet e bashkuara dhe Izraelin në fushën e sigurisë si shenjë proteste.