Në një ceremoni zyrtare të mbajtur në ambientet e Kampit Vrella, Policia e Kosovës realizoi dorëzimin dhe pranimin e pesë automjeteve speciale dhe një qeni zyrtar të racës Malinos Belg, i dhuruar nga Ambasada e Francës. Kjo ngjarje u zhvillua në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe ambasadat e Francës dhe Gjermanisë.
Gjatë ceremonisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, dhe Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, shprehën falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë në zhvillimin e kapaciteteve operative të njësisë me qen zyrtar – K9.
Nga ana e tyre, ambasadorët Gerard McGurk, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, Olivier Guerot, ambasador i Francës, dhe Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në fuqizimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë, në veçanti të njësisë K9.
Donacioni përbën një pjesë kyçe të bashkëpunimit strategjik në kuadër të projektit për luftimin e armëve të vogla dhe të lehta (SALW). Ky bashkëpunim ka përfshirë ndër vite trajnime të specializuara, pajisje logjistike dhe zhvillim infrastrukture për njësinë K9.
Ceremonia u mbyll me një demonstrim praktik nga njësia K9, që dëshmoi kapacitetet e shtuara në parandalimin e krimit, reagimin në situata të rrezikshme dhe mbështetjen e operacioneve të specializuara policore.
Policia e Kosovës shpreh mirënjohje të thellë për mbështetjen e OSBE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke riafirmuar angazhimin për ruajtjen e rendit publik dhe sigurinë e qytetarëve pa dallim.
Sunny Hill Festival po afron dhe banka ProCredit, si sponsor gjeneral i festivalit, të sjell më afër skenës magjike...