Në kryeqytetin spanjoll, Madrid, ka nisur punimet Konferenca e 45-të e Policive të Kryeqyteteve Evropiane, ku po merr pjesë edhe një delegacion nga Policia e Kosovës.
Kosovën në këtë ngjarje ndërkombëtare po e përfaqësojnë Nënkolonel Basri Shabani, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës, dhe Major Bekim Bislimi, Drejtor i Drejtorisë së Kryeqytetit.
Konferenca ka filluar më 27 maj dhe do të përmbyllet nesër, me miratimin e një deklarate të përbashkët nga shtetet pjesëmarrëse, që do të përmbledhë pikat kryesore të dala nga diskutimet dhe temat e trajtuara.
Ndër temat kryesore që po diskutohen në këtë forum ndërkombëtar janë:
Trajtimi i rasteve të dhunës në familje dhe bazuar në gjini,
Siguria kibernetike,
Siguria në trafikun rrugor në kryeqytete.
Qëllimi i konferencës është shkëmbimi i përvojave mes forcave policore të kryeqyteteve evropiane dhe identifikimi i metodave efikase për koordinim më të mirë, rritje të cilësisë së bashkëpunimit dhe përmirësim të përpjekjeve të përbashkëta në parandalimin e dukurive negative.
Konferenca e ardhshme e këtij formati do të mbahet në vitin 2026, në Helsinki të Finlandës.